Netanyahu: Nuk kemi për qëllim të pushtojmë përgjithmonë Gazën ose të zhvendosim civilët

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij nuk ka për qëllim të pushtojë përgjithmonë Gazën ose të zhvendosë civilët. Në një fjalim në anglisht, të publikuar në televizion dhe në llogarinë e tij në platformën X, Netanyahu tha: “Dua të sqaroj disa pika. Izraeli nuk ka për qëllim të pushtojë në mënyrë të përhershme Gazën ose të zhvendosë civilët”. Netanyahu mbrojti idenë e tij se Izraeli lufton me Hamasin dhe jo me popullin e Palestinës dhe se këtë e ka bërë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ai pretendon se ushtria izraelite ka treguar çdo lloj përpjekjeje për të minimizuar humbjet civile.

Netanyahu ka mbrojtur idenë se ushtria izraelite duke shpërndarë broshura, duke zhvilluar biseda telefonike dhe duke siguruar korridore të sigurta ka inkurajuar civilët palestinezë të evakuohen nga zonat e luftës, ndërsa Hamasi ka penguar largimin e palestinezëve nga zona me forcën e armës dhe shumë herë duke hapur zjarr. “Qëllimi ynë është të çlirojmë Gazën dhe të lirojmë pengjet izraelite. Pasi të arrihet kjo Gaza mund të pastrohet nga armët dhe radikalizmi. Në këtë mënyrë mund të krijohet një e ardhme më e mirë edhe për Izraelin edhe për palestinezët”, tha Netanyahu.

Sipas lajmit të publikuar më 25 dhjetor 2023 në gazetën izraelite “HaYom”, Netanyahu në një mbledhje me deputetët e partisë Likud ka thënë: “Problemi ynë janë vendet që janë gati të pranojnë refugjatë. Ne po punojmë për ta zgjidhur këtë”.

Deputeti izraelit, Danny Danon i cili foli në takim për çështjen e shpërnguljes së palestinezëve nga Gaza tha se “Bota po diskuton faktikisht këtë çështje. Ministri kanadez i Emigracionit, Marc Miller ka folur publikisht për këtë çështje. Edhe Nikki Haley (një nga kandidatët për zgjedhjet presidenciale 2024 të SHBA nga Partia Republikane). Ne duhet të formojmë ekip brenda Izraelit lidhur me ata që duan të largohen nga Gaza dhe të shkojnë në një vend të tretë”. Pas këtyre fjalëve të Ganon, Netanyahu tha se “Ne për këtë po punojmë”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne