Macron: Avionët francezë interceptuan ‘atë çfarë duhet’ gjatë sulmit të Iranit kundër Izraelit

Avionët francezë interceptuan “atë çfarë duhet” gjatë sulmit të Iranit kundër Izraelit, tha sot presidenti francez Emmanuel Macron. “Për vite me radhë, ne kemi një bazë ushtarake në Jordani për të luftuar kundër terrorizmit”, kujtoi Macron gjatë një interviste me transmetuesit BFMTV dhe RMC. “Hapësira ajrore e Jordanisë u shkel nga ato gjuajtje, avionët tanë u ngritën dhe ne kemi interceptuar atë që duhet të interceptojmë”, shtoi ai.

Macron theksoi se kjo masë është bërë në mbështetje të Izraelit. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) lëshoi një breshëri dronësh dhe raketash drejt Izraelit të shtunën vonë në përgjigje të sulmit të 1 prillit ndaj Konsullatës iraniane në Damask. Sulmi, i cili vrau shtatë zyrtarë ushtarakë iranianë, duke përfshirë një komandant të lartë të IRGC-së, tërhoqi reagime të ashpra nga zyrtarët e qeverisë iraniane, të cilët u zotuan për një “përgjigje vendimtare”.

Sipas disa lajmeve të pakonfirmuara, IRGC-ja ka lëshuar më shumë se 300 dronë dhe raketa në sulmin që zgjati disa orë, shumë prej të cilave janë kapur nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore. Megjithatë, komandanti i IRGC-së, gjenerali Hossein Salami, u tha gazetarëve në Teheran të dielën në mëngjes se operacioni ishte i suksesshëm më shumë nga sa prisnin. Ndërkohë, ka spekulime se Izraeli mund të hakmerret, gjë që ekspertët besojnë se mund të shkaktojë një luftë gjithëpërfshirëse rajonale./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne