Madridi shpreh “habi” për mungesën e solidaritetit të Gjermanisë përballë kërcënimeve të Trumpit

Ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Jose Manuel Albares ka bërë të ditur se i ka shprehur “habinë” homologut të tij gjerman pasi kancelari Friedrich Merz nuk tregoi solidaritet me Spanjën pas kërcënimeve tregtare nga presidenti amerikan, Donald Trump. Dje, Merz qëndroi në heshtje ndërsa Trump kërcënoi me embargo Spanjën gjatë një konference të përbashkët për media në Shtëpinë e Bardhë.

Kancelari Merz gjithashtu shtoi kritikat ndaj Madridit, duke theksuar se Spanja është i vetmi aleat i NATO-s që nuk është i gatshëm të përmbushë objektivin e shpenzimeve për mbrojtje në nivelin 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

“Ne po përpiqemi t’i bindim se kjo është pjesë e sigurisë sonë të përbashkët dhe se të gjithë duhet ta respektojmë”, tha Merz në Shtëpinë e Bardhë ndërsa Trump u përgjigj: “Spanja ka qenë shumë, shumë jokompetente në bashkëpunim”.

“Që kur kemi qenë në qeveri, kemi njohur tre kancelarë, Merkelin, Scholzin dhe tani Merzin”, tha kryediplomati spanjoll Albares për transmetuesin publik RTVE.

“Nuk mund ta imagjinoj Merkelin apo Scholzin të bënin deklarata të tilla. Kishte një frymë tjetër evropiane”, tha ai. Albares përmendi mbështetjen e Spanjës për Danimarkën kur ajo u përball me kërcënime tarifore të lidhura me presionin amerikan për Grenlandën si dhe mbështetjen e Madridit për vendet në krahun lindor të NATO-s.

Sipas gazetës “New York Times”, pas takimit në Zyrën Ovale, Merz u tha gazetarëve se privatisht kishte mbrojtur Spanjën përballë Trumpit.

Dje, edhe Brukseli shprehu mbështetje për Spanjën, duke theksuar se pret që SHBA-ja të respektojë angazhimet e tyre tregtare dhe u zotua të mbrojë interesat e Bashkimit Evropian (BE).

Sot, presidenti francez, Emmanuel Macron telefonoi kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez për të shprehur “solidaritetin evropian të Francës në përgjigje të kërcënimeve të fundit për detyrim ekonomik të nisura dje kundër Spanjës”, thanë burime nga Pallati Elysee për agjencinë spanjolle të lajmeve “Efe”./A-

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne