Grupi i parë i emigrantëve të paligjshëm që janë ndaluar nga autoritete italiane është nisur drejt Shqipërisë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve. Në mediat ndërkombëtare, por edhe ato shqiptare është raportuar se Anija “Libra” e Marinës italianë është nisur drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura, për t’iu nënshtruar më pas procedurave të përshpejtuara kufitare.
Në anije raportohet se janë vetëm meshkuj, ndërkohë nuk jepen detaje për numrin e tyre. Aktualisht nuk ka informacione nga autoritet se kur pritet mbërritja e anijes me emigrantë. Ndërkohë, pasi anija të mbërrijë në portin e Shëngjinit në Qarkun e Lezhës, për emigrantët pritet do të ketë kontrolle dhe më pas ata do të transferohen në qendrën e ngritur për pritjen e tyre.
Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit
Më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali. Protokolli, në bazë të të cilit u ngritjen në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt 2024.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane. Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit./AA