Një masakër me 2 viktima ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në zonën e njohur si “5 Heronjtë e Vigut”, në qytetin e Shkodrës. 1 nga viktimat e këtij antentati është shtetasi Hamza Lici, vëllai i të shumëkërkuarit Ibrahim Lici. Ndërkohë që i plagosur është Arlind Bushati, djali i kandidatit të Partisë Demokratike për kryebashkiak të Shkodrës, Xhemal Bushati. Bushati ka marrë një plumb në kokë dhe është në gjendje të rëndë për jetën.
Ndërkohë që kujtojmë që Bushati, i cili mbeti i plagosur pak javë më parë denoncoi në policinë e Shkodrës një kërcënim që i kishte ndodhur në pedonalen e qytetit.
Njoftimi i policisë në datën 11 nëntor:
“Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës”.
32-vjeçari denoncoi në polici se persona të paidentifikuar që qarkullonin me motor dyshohet se i kanë drejtuar armën 32-vjeçarit afër një lokali në pedonalen e Shkodrës, ku ka pasur edhe shumë qytetarë të tjerë në lokal.
Ndërkohë sa i takon ngjarjes së sotme automjeti me të cilin lëvizin të rinjtë, u qëllua me breshëri plumbash në lagjen e Dobraçit, një lagje që njihet si territor i fisit Bajri, kundërshtar të familjes Lici.
Si pasojë e të shtënave mbetën të vdekur Hamza Lici dhe 1 kalimtare e rastit.
Ndërkohë në lidhje me ngjarjen, Drejtoria Vendore e Policisë në Shkodër dha detaje nga ngjarja, teksa konfirmoi dhe 2 viktimat dhe 2 të plagosurit.
Njoftimi i policisë së datës së 30-tetor:
”Shkodër/Informacion paraprak/ Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B. Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, dyshohet ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve”