Mbretëria e Bashkuar: Deklarata e ambasadores izraelite që përjashton zgjidhjen me 2 shtete “zhgënjyese”

Sipas sekretarit të jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, deklarata e ambasadores izraelite në Londër, Tzipi Hotovely, që përjashton zgjidhjen me dy shtete është “zhgënjyese”. Duke folur për ‘Sky News’, ambasadorja izraelite tha se Izraeli nuk do të pranonte një zgjidhje me dy shtete kur të përfundojë lufta në Gaza.

Në Komitetin e Lordëve, Cameron u pyet nëse mendon se ambasadorja izraelite po fliste sipas udhëzimeve të qeverisë së saj. “Unë nuk e di përgjigjen. E lexova transkriptin dhe është zhgënjyese, por në fund të fundit, siguria dhe stabiliteti i vërtetë për Izraelin, gjë që më intereson shumë, unë besoj në Izraelin si një atdhe për popullin hebre. Unë besoj në të drejtën e saj për të ekzistuar, për të lulëzuar, për të mbrojtur veten dhe gjithë pjesën tjetër të saj… siguria afatgjate mendoj se kërkon që të ketë një shtet edhe për Palestinën”, tha Cameron.

“Kështu që unë nuk mendoj se duhet t’i kushtojmë shumë peshë një interviste. Ne duhet të vazhdojmë dhe të mendojmë se si të ndihmojmë që kjo të ndodhë”, shtoi ai. Cameron gjithashtu mbrojti vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mos votuar në favor të një rezolute të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin e vazhdueshëm në Gaza.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga Lady Blackstone e Partisë Laburiste në lidhje me situatën në Gaza, Cameron shprehu shqetësimin e tij për kohëzgjatjen e konfliktit, por theksoi nevojën për një armëpushim të qëndrueshëm. Sipas tij, një armëpushim i menjëhershëm, siç propozohet nga rezoluta e OKB-së, mund të mos jetë i favorshëm për një paqe të qëndrueshme nëse lejon Hamasin të nisë sulme të mëtejshme të ngjashme me incidentin e 7 tetorit.

Sekretari i jashtëm britanik tha se rezoluta kërkonte një armëpushim të menjëhershëm dhe një zgjidhje me dy shtete, të cilat ai i konsideroi të papajtueshme./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne