Mediat greke: Nga Shqipëria në Gaza, megaprojektet e dhëndrit të Trump, Jared Kushner

Projektet e dhëndrit të presidentit Donald Trump, Jared Kushner kanë marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, vazhdon të shqetësojë komunitetin ndërkombëtar me planet e tij ambicioze të investimeve, keshtu e nis artikullin media greke Newmoney.gr.

Nga Shqipëria në Gaza Kushner kërkon të shndërrojë zonat e diskutueshme në qendra turistike dhe zhvillimi, duke shkaktuar reagime të forta, si në planin politik ashtu edhe në atë mjedisor.

ARTIKULLI

Nga politika në botën e biznesit

Jared Corey Kushner ka lindur në vitin 1981 në New Jersey dhe vjen nga një familje e pasur hebreje sipërmarrësish të pasurive të paluajtshme. Ai u diplomua në Universitetin e Harvardit me një diplomë në sociologji dhe vazhdoi në Universitetin e Nju Jorkut, duke fituar diploma në drejtësi dhe administrim biznesi. Në moshën 25-vjeçare bleu gazetën New York Observer, duke marrë përsipër edhe drejtimin e biznesit familjar, Kushner Companies.

Në vitin 2009, ai u martua me Ivanka Trump, vajzën e Donald Trump, dhe më vonë shërbeu si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, duke u fokusuar në çështjet e politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Pas largimit nga politika, ai u rikthye në botën e biznesit, duke themeluar kompaninë investuese Affinity Partners, përmes së cilës promovon projekte në nivel ndërkombëtar.

Propozimi për Gazën që shkaktoi një protestë globale

Donald Trump shkaktoi një bujë të re me propozimin e tij për ta kthyer Gazën në një vendpushim luksoz bregdetar, duke e krahasuar atë me Monakon. Kjo ide solli përsëri në plan të parë deklaratat e mëparshme të Jared Kushner, i cili në të kaluarën i ishte referuar potencialit të madh investues të Gazës nëse popullsia e saj do të zhvendosej.

Në një ngjarje në Harvard në vitin 2024, Kushner kishte deklaruar se zona mund të fitonte vlerë të lartë ekonomike nëse do të kontrollohej ndryshe. Megjithatë, ky propozim shihet si jashtëzakonisht provokues, pasi përfshin çështje gjeopolitike dhe humanitare, ku organizatat e të drejtave të njeriut e dënojnë atë si një plan për “spastrim etnik”.

Reagimet dhe pengesat ligjore

Komuniteti ndërkombëtar reagoi ashpër ndaj deklaratave Trump-Kushner. Autoriteti Palestinez dhe Hamasi e quajtën propozimin të papranueshëm, ndërsa Riadi hodhi poshtë çdo plan për të zhvendosur me forcë palestinezët. Ekspertët ligjorë theksuan se çdo veprim i tillë do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe Konventat e Gjenevës.

Në të njëjtën kohë u shfaqën edhe çështje pronësie. Statusi ligjor i pasurive të paluajtshme në Gaza është kompleks, pasi bazohet në traditat ligjore osmane, britanike dhe jordaneze, gjë që e bën të vështirë çdo përpjekje për ndërhyrje të jashtme pa negociata të gjera.

Planet në Ballkan

Kushner nuk kufizohet vetëm në Lindjen e Mesme, ai po e zgjeron aktivitetin e tij të biznesit në Ballkan, me investime në Shqipëri dhe Serbi. Në Shqipëri Kushner planifikon të zhvillojë një kompleks turistik luksoz, duke investuar kapital nga Arabia Saudite dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme. Projekti, i vendosur në një zonë të pacenuar bregdetare me vlera të larta mjedisore, ka ngjallur reagime nga organizatat mjedisore të shqetësuara për shkatërrimin e ekosistemit.

Në të njëjtën kohë, ai e ka kthyer vëmendjen edhe në Beograd, ku është planifikuar ndërtimi i një hoteli luksoz dhe kompleksi rezidencial, në bashkëpunim me qeverinë serbe. Projekti, me një buxhet prej 500 milionë dollarësh, pritet të financohet nga fondet e investimeve nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.

Analistët nuk mund të injorojnë dimensionin e thellë politik të planeve të Kushner. Me lidhje të forta me administratën Trump dhe marrëdhënie të ngushta me vendet arabe, ata besojnë se investimet e tij u shërbejnë jo vetëm interesave të biznesit, por edhe strategjive gjeopolitike.

Pavarësisht deklaratave ambicioze, si propozimi i Gazës ashtu edhe megaprojekti në Shqipëri përballen me sfida serioze. Paqëndrueshmëria në rajonin e Lindjes së Mesme e bën të pasigurt çdo investim në Gaza ndërsa në Shqipëri reagimi mjedisor mund të vonojë apo edhe anulojë projektin.

Projekti në Shqipëri

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, vetëm tre javë përpara betimit të dytë të Trump, qeveria shqiptare dha miratimin paraprak që Kushner të zhvillonte një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në Sazan, ishulli i vetëm i Shqipërisë në Mesdhe. Është një nga investimet më të profilit të lartë deri më sot nga firma e tij private e kapitalit, Affinity Partners, të cilën Kushner e ngriti menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë të Trump, kryesisht me fonde nga Arabia Saudite.

Në mars të vitit 2024, Kushner kishte publikuar në rrjetet sociale dizajnet potenciale të investimeve të firmës së tij në Shqipëri. Kushner kishte deklaruar se synon ta shndërrojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, që gjendet në Detin Mesme, në një destinacion luksoz për turistët. Sazani është kryesisht i braktisur dhe aktualisht është bazë ushtarake dhe gjysmë i hapur për publikun. Dhëndëri i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne