Rajoni i Ballkanit dhe veçanërisht Shqipëria janë përfshirë në një valë të re shqetësimi pas raportimeve që vijnë nga media azere “Caliber”, e cila tregon se Irani po shqyrton seriozisht mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj kampit Ashraf-3 në Manzë.
Lajmi erdhi pasi Shërbimi për Shtyp i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) publikoi deklarata kërcënuese përmes kanaleve zyrtare në Telegram, duke theksuar se Teherani nuk e kufizon më veprimtarinë e tij kundër kundërshtarëve brenda një hapësire të caktuar gjeografike.
Sipas autoriteteve iraniane, anëtarët e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të cilët ata i etiketojnë si “Monafeq”, janë të përfshirë në aktivitete armiqësore të rrezikshme që kërkojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë, edhe mijëra kilometra larg kufijve të tyre.
Referencat mediatike ndaj sulmeve të fundit iraniane ndaj objektivave në Qipro tregojnë një rritje të kapaciteteve operacionale të Teheranit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për sigurinë evropiane.
Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë theksojnë se një skenar i tillë në territorin shqiptar mbetet jashtëzakonisht i vështirë për t’u realizuar nga ana teknike dhe ushtarake. Çdo përpjekje për të dërguar raketa apo dronë drejt Shqipërisë do të kërkonte kalimin mbi hapësirën ajrore të Turqisë ose përmes Mesdheut, zona që monitorohen rreptësisht nga Flota e Gjashtë e SHBA-së dhe Sistemet e Integruara të Mbrojtjes Ajrore të NATO-s.
Një veprim i tillë nga Irani do të interpretohej menjëherë si akt lufte jo vetëm kundër Tiranës, por kundër të gjithë Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke aktivizuar Nenin 5 të mbrojtjes kolektive.
Që nga viti 2013, rreth 3,000 anëtarë të MEK-ut janë strehuar në kompleksin e fortifikuar në Manzë, pas një marrëveshjeje humanitare të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara për t’i zhvendosur ata nga rreziku i zhdukjes në Irak. Organizata, e themeluar në vitin 1965 me prirje islamo-socialiste, ka një histori të gjatë dhe të debatueshme përplasjesh me regjimin e ajatollahëve, duke nisur nga mbështetja fillestare për revolucionin e vitit 1979 e deri te kalimi në opozitë të armatosur nga mërgimi.
Megjithëse dikur ishin në listën e organizatave terroriste, në vitin 2012 Departamenti Amerikan i Shtetit i hoqi nga kjo listë pasi grupi hoqi dorë zyrtarisht nga dhuna. Sot, prania e tyre në Shqipëri mbetet një “gjemb i përhershëm” për Teheranin, veçanërisht pas zbulimeve që ata bënë për programin bërthamor të Iranit, duke e kthyer vendin tonë në një pikë të nxehtë në hartën globale të inteligjencës./JOQ

















