Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, pesë shtetas shqiptarë që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale janë larguar në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit. Ata ndodhen tashmë në territor egjiptian dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa pritet të kthehen në Shqipëri.
Ministri Hasani falënderoi autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe atë Bullgare në Tel Aviv, si dhe autoritetet egjiptiane për bashkëpunimin në evakuimin e shqiptarëve.
Në asnjë moment ministri nuk shpreh shqetësim për përshkallëzimin e luftës në rajon, për rrezikun që i kanoset jo vetëm qytetarëve shqiptarë në Izrael dhe Lindjen e Mesme, por as për pasojat e një konflikti të mundshëm më të gjerë. Falënderimet ndaj Izraelit në një kohë kur ky vend është i përfshirë në një luftë të hapur me Iranin, ngjajnë më shumë me pozicionim politik sesa me kujdes diplomatik.
Në vend që të mbajë një qëndrim të matur dhe të kujdesshëm në një situatë lufte, ministri Hasani zgjodhi të falënderojë palën izraelite pa bërë asnjë deklaratë për paqe, stabilitet apo për përpjekje diplomatike. Ky qëndrim ushqen perceptimin se diplomacia shqiptare është e anuar dhe e pavendosur në situata ku kërkohet qartësi dhe neutralitet parimor./gazetaimpakt