Ministri i Jashtëm jordanez: Refuzojmë ta quajmë vetëmbrojtje atë që po ndodh në Gaza

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi tha se refuzojnë ta quajnë vetëmbrojtje atë që po ndodh në Gaza.

Në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, u mbajt “takimi koordinues lidhur me sulmet e Izraelit që vazhdojnë kundër Rripit të Gazës dhe në të cilin morën pjesë Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken dhe ministrat e Jashtëm të Jordanisë, Egjiptit, Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Hussein al-Sheikh.

Ministri jordanez Safadi pas takimit zhvilloi konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Sameh Shoukry dhe Sekretarin amerikan, Blinken.”Vendet arabe kërkojnë armëpushim. Refuzojmë ta quajmë vetëmbrojtje atë që po ndodh në Gaza. Këto nuk mund të justifikohen dhe nuk do t’i sjellin siguri Izraelit. Si mund të shpjegohet si vetëmbrojtje vrasja e 9 mijë personave prej të cilëve më shumë se 3 mijë janë fëmijë?”, tha Safadi.

Ai vuri në dukje se më shumë vdekje nuk do të sjellë paqe për të dy palët, sulmet do të sjellin më shumë dhimbje si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët dhe se këto duhet të përfundojnë menjëherë. Ministri egjiptian Shoukry tha se kundërshtojnë eliminimin e kauzës palestineze dhe tha se duhet të zhvillohet hetim ndërkombëtar në lidhje me “praktikat e dukshme” në sulmet në Gaza.

Shoukry kërkoi armëpushim dhe t’i jepet fund pengesës së Izraelit për hyrjen e ndihmave humanitare. Pasi bëri të ditur se është herët të flitet rreth të ardhmes së Gazës, Shoukry theksoi se është e rëndësishme që civilët të jenë të sigurt./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne