Ministri izraelit i ekstremit të djathtë bën thirrje për pushtimin e Gadishullit Sinai të Egjiptit

Ministri izraelit i Trashëgimisë nga radhët e ekstremit të djathtë, Amichay Eliyahu ripostoi sot një postim në rrjetin social X duke bërë thirrje për pushtimin e Gadishullit Sinai të Egjiptit. Në postimin që Eliyahu ka ndarë sërish në platformën X, kërkohet që të blihet një bluzë që ka një hartë mbi të.

Në hartën mbi bluzën në të cilën ndodhet mesazhi “Pushtim tani”, vërehet se krahas Bregut Perëndimor, Kudsit Lindor nën pushtim dhe Rripit të Gazës që ndodhet nën sulme që nga 7 tetori, hartës së Izraelit i është shtuar edhe Gadishulli Sinai i Egjiptit. Në postimin që Eliyahu ka ndarë sërish përfshihet mesazhi “Populli dëshiron pushtim! Pushtim tani”.

Gazeta “Times of Israel” ka shkruar se Zyra për media e kryeministrisë së Izraelit dhe Ministria e Trashëgimisë i kanë lënë pa përgjigje pyetjet lidhur me çështjen. Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Kudsin Lindor si dhe Gadishullin Sinai në betejën e njohur si “Lufta Gjashtë Ditore” në vitin 1967.

Izraeli i dha fund pushtimit të tij në Gadishullin Sinai në vitin 1982 pas Marrëveshjes së “Camp David” që nënshkroi me Egjiptin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne