Në një intervistë të gjatë dhe të thelluar, Muhamed Kajolli flet për sulmet e koordinuara ndaj Gazetës “Impakt”, rritjen e diskursit antiislam në hapësirën shqiptare dhe sfidat e medias në raport me individë dhe grupe që synojnë të përhapin urrejtje fetare. Ai analizon motivet e veprimtarëve të Grupit të Deçanit, rolin e mediave në afirmimin e opinionit dhe nevojën për mbrojtjen e identitetit fetar dhe të lirisë së shprehjes. Kajolli jep gjithashtu mendimin e tij mbi individë si Muhamet Shabani, të cilët, përmes ideologjive ekstremiste, përpiqen të nxisin përçarje dhe urrejtje ndaj myslimanëve shqiptarë.
Nga Muhamed Kajolli
Si e interpretoni sulmin e koordinuar mediatik ndaj Gazetës Impakt nga veprimtarët e Grupit të Deçanit, Bajram Kabashi dhe Asllan Dibrani?
Sulmi ndaj gazetës suaj, dhe jo vetëm ndaj saj, është rezultat i akumulimit të opinioneve të publikuara ndër vite, shumica prej të cilave lidhen me zhvillime ndërkombëtare me sfond islam. Çdo medium që ofron opinionin e vet në shoqëri është i ekspozuar ndaj sulmeve nga media rivale apo individë me mendime të kundërta. Intensiteti i këtyre sulmeve varet nga qëllimet e sulmuesve.
Për mua, reagimet dhe kritikat janë normale për sa kohë respektohet etika e rivalitetit. Megjithatë, dy dekadat e fundit, edhe në Evropë, po vërehet një rritje e ndjeshme e pakënaqësive nacionaliste si pasojë e migracionit masiv. Bajram Kabashi dhe Asllan Dibrani, pak të njohur në publicistikën shqiptare dhe banues në Evropë, duket se këto shqetësime evropiane po përpiqen t’i transferojnë në hapësirën tonë mediatike. Mediat elektronike janë mjeti më i lehtë për këtë, dhe ndër to edhe gazeta juaj. Për t’u afirmuar, ata kanë sulmuar gazetën tuaj dhe media të tjera që publikojnë opinione me sfond islam.
Cilat janë arsyet pse Asllan Dibrani dhe Bajram Kabashi shfaqin një armiqësi kaq të fortë ndaj Islamit dhe shqiptarëve myslimanë?
Këta dy persona nuk kanë qenë të njohur në qarqet intelektuale apo akademike. Nuk kanë botuar ndonjë vepër shkencore kundër Islamit dhe, për pasojë, kanë qenë të panjohur. Vetëm së fundmi kam dëgjuar për ta. Siç duket, sulmi ndaj gazetës suaj i ka bërë disi të njohur, çka tregon se e kanë arritur synimin e tyre.
Pse Asllan Dibrani e etiketon Gazetën Impakt si “fabrikë propagandistike të islamizmit politik”?
Nuk besoj se vetëm gazetën tuaj e kanë etiketuar në këtë mënyrë. Ky tip individësh kërkon treg për afirmim dhe e gjen aty ku mendon se do të ketë jehonë. Për interesa të ulëta, ata shajnë Islamin, individë apo hoxhallarë, pa argumente, duke shpifur, sajuar apo fabrikuar ngjarje, vetëm për të tërhequr vëmendje.
Pse Lëvizja e Deçanit e urren identitetin fetar të shqiptarëve myslimanë?
Përgjigje:
Urrejtja, ashtu si edhe e mira, është pjesë e natyrës njerëzore dhe trashëgohet. Ajo reflektohet kur individi ose shoqëria është e pakënaqur. Për aq sa jam i informuar, kjo lëvizje shpesh nuk e kupton as vetë se çfarë urren, për shkak të nivelit të ulët arsimor, kulturor dhe atdhetar, me përjashtime të rralla.
Shumica prej tyre nuk kanë qenë praktikues të Islamit dhe, rrjedhimisht, nuk e njohin atë. Ata kanë lindur myslimanë, kanë jetuar si komunistë për interesa personale dhe më pas janë konvertuar për arsye utilitare. Përjashtim bëjnë individët që janë larguar nga feja për shkak të sjelljeve manipuluese të disa pseudo-hoxhallarëve.
Si e shpjegoni rastin e Muhamet Shabanit (Belisar Jezerci), i cili ka bërë thirrje për zhdukjen e Islamit dhe myslimanëve shqiptarë?
Forma e pyetjes suaj shpesh keqinterpretohet dhe nxit reagime. Nuk është e drejtë të thuhet se “Kosova prodhon” njerëz të tillë; më e saktë do të ishte të flasim për shoqërinë shqiptare në tërësi.
Sa i përket Shabanit, kam dëgjuar për të vetëm pas reagimeve në rrjetet sociale. Ai është konvertuar së fundmi dhe, si individ me formim akademik në histori, duket se kërkon të afirmohet përmes diskursit ekstrem antiislam. Thirrjet për zhdukje të një feje përbëjnë potencialisht vepër penale dhe mbetet në dorën e drejtësisë të vlerësojë përgjegjësinë e tij.
Nëse Grupi i Deçanit do të kishte pushtet real, a do të rrezikohej ekzistenca e myslimanëve shqiptarë?
Pa prezencën e KFOR-it dhe institucioneve ndërkombëtare, rreziku për përndjekje serioze do të ishte real. Urrejtja e thellë ndaj Islamit te disa figura publike është shqetësuese. Megjithatë, ajo që mbetet më alarmuese është vonesa e drejtësisë në Kosovë.
Cili është apeli juaj për institucionet ligjzbatuese në rajon?
Në kushtet aktuale, apelimi ndaj institucioneve shpesh bie në vesh të shurdhër. Përderisa drejtësia ndërkombëtare shpërfillet, edhe ajo lokale mbetet e pafuqishme. Apeli im i vetëm i drejtohet Drejtësisë Hyjnore, që të ketë mëshirë për të pafuqishmit./GAZETAIMPAKT

















