Në arrati për inceneratorët, Kuvendi i ndërpret pagën Arben Ahmetajt, por do të vijojë të jetë deputet

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të ndërpresë çdo marrëdhënie financiare me deputetin Arben Ahmetaj.

Burime nga Kuvendi bëjnë me dije se me këtë vendim Ahmetaj nuk përfiton rrogën mujore të deputetit dhe asnjë tjetër përfitim financiar, siç janë dietat, shtesa e rrogës për pjesëmarrje në komisionet parlamentare, rimbursim i karburantit dhe telefonit.

Vendimi ka hyrë në fuqi që prej datës 14 Korrik, ditë kur Kuvendi votoi dhënien e lejes Prokurorisë Speciale për të arrestuar ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, nën akuzën për korrupsion në çështjen e inceneratorëve.

Në seancën e 14 Korrikut Kuvendi miratoi me 117 vota pro të mazhorancës dhe opozitës, asnjë kundër dhe 3 abstenime, autorizimin që SPAK ta arrestojë dhe të kontrollojë banesën e tij.

Vendimi i Kuvendit vjen në kushtet kur deputeti Arben Ahmetaj ishte larguar nga Shqipëria pak ditë para se SPAK të merrte lejen zyrtare për ta arrestuar atë. Pas konstatimit të mungesës në territorin e Shqipërisë, SPAK e shpalli në kërkim ndërkombëtar deputetin Arben Ahmetaj.

Ligjërisht Arben Ahmetaj vijon ta gëzojë mandatin e deputetit. Kushtetuta përcakton se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, kur ai nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati; kur mbaron mandati i Kuvendit; kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend apo kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Aktualisht deputeti Arben Ahmetaj vijon të gëzojë ligjërisht mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne