Vuçiq thotë se Greqia e Ukraina nuk ndryshojnë qëndrim rreth Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimeve në Greqi, ku është mbajtur darka informale e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ka thënë se Greqia dhe Ukraina nuk do ta ndryshojnë qëndrimin sa i përket njohjes së Kosovës.

Ai ka takuar presidentin e Ukrainës me të cilin nuk janë pajtuar me aplikimin sa më efikas të sanksioneve kundër Rusisë. Vuçiq ka takuar sot presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenskin, të cilit tha se i ka thënë se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës, por e ka të domosdoshme ruajtjen e raporteve me Rusinë.

“Ia kam sqaruar situatën rreth Kosovës, mendoj se nuk do të ketë ndryshime në raport të Ukrainës me Republikën e Serbisë dhe respektimin e integritetit territorial dhe mendoj se kjo ka qenë një punë e rëndësishme për ne, si dhe e kemi mbështetur natyrisht Ukrainën në rrugën e saj evropiane.

Natyrisht, nuk jemi as ne kundër Ukrainës. Por, jemi përpjekur të mos jemi më të zëshmit në akuzat kundër të tjerëve, puna jonë është t’i mbrojmë dhe ruajmë interesat tona dhe kjo është e tëra që është e rëndësishme. Është e qartë se nuk jemi pajtuar me pjesën e cila flet për aplikimin sa më efikas të sanksioneve”, tha Vuçiq. Ai ka shtuar se është njoftuar nga zyrtarët grekë se nuk do ta ndryshojnë qëndrimin sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Mitsotakis më ka thënë mbrëmë se nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit të Greqisë rreth çështjes së pranimit të pavarësisë së Kosovës”, tha Vuçiq./Parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne