Agim Kasemi
Ka diçka thellësisht paradoksale në deklaratën e fundit të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, pas një bisede me homologun izraelit Gideon Sa’ar.
Në emër të kujt flet diplomacia shqiptare?
Shqipëria është një vend me një histori të rrallë tolerance dhe solidariteti. Një popull që ka mbrojtur hebrenjtë në kohët e errëta të Europës dhe që gjithmonë ka qenë në anën e popujve që vuajnë nga lufta dhe padrejtësia. Pikërisht për këtë arsye, deklaratat e njëanshme që duken si justifikim për çdo veprim ushtarak nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ndjenjat e shumicës së qytetarëve shqiptarë.
Kjo nuk është çështje feje. Është çështje ndërgjegjeje.
Kur një ministër i jashtëm flet për “solidaritet të plotë” vetëm me njërën palë, duke injoruar tragjedinë e civilëve dhe realitetin e një konflikti shumë më kompleks, lind pyetja: a është kjo politika e jashtme e Shqipërisë apo thjesht një deklaratë që i shërben rrethanave të momentit?
Politika e jashtme e një vendi të vogël duhet të jetë e mençur, e balancuar dhe dinjitoze. Nuk ka asgjë të keqe në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Izraelin, por kjo nuk do të thotë të humbasësh ndjenjën e drejtësisë dhe barazisë.
Mjafton të shohësh kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez për të kuptuar se është e mundur të jesh pjesë e Perëndimit dhe në të njëjtën kohë të mbrosh parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe dinjitetin e popujve.
Shqipëria nuk ka nevojë për një diplomat që flet me zërin e të tjerëve. Ka nevojë për një diplomat që flet me zërin e popullit të vet.
Sepse pyetja mbetet e thjeshtë:
Kur flet Ministri i Jashtëm, a flet ai në emër të Shqipërisë, apo vetëm në emër të qeverisë?
/fb

















