Kujtim Gjuzi: Ne koalicion me Berishen: muxhahedinet e Manzes duhet te mbahen ne kontroll!

Kujtim Gjuzi, lideri i Partisë Kombëtare Konservatore, ka dhënë një intervistë ku ka shprehur qëndrimet e tij për zhvillimet politike në Shqipëri dhe planet e partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë intervistë për Gazeta Impakt, ai ka diskutuar mbi koalicionin e tij me Partinë Demokratike dhe ndihmën që kjo aleancë mund të sjellë për forcimin e vlerave konservatore në vend.

Gjuzi ka theksuar se është i angazhuar për të mbrojtur vlerat tradicionale si familja, prona dhe gjuhën shqipe, duke u përpjekur për të ruajtur identitetin kombëtar të shqiptarëve. Po ashtu, ai ka folur për marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë, Vatikanin dhe Iranin, si dhe për ndikimin e mundshëm të prezencës së MEK në vend. Gjuzi ka theksuar qe muxhahedinet duhet te strehoen ne Shqiperi por te mbahen nen kontroll ne menyre qe te mos rrezikojne sigurine kombetare te Shqiperise. Propaganda e tyre kunder Iranit demton Shqiperine dhe per kete duhen mbajtur nen kontroll. Gjuzi ka mbështetur idenë e reformës në SPAK, duke theksuar nevojën për një sistem të drejtë dhe të paanshëm të drejtësisë në Shqipëri.

 

Impakt: Z. Gjuzi cilat janë planet tuaja për zgjedhjet që vijnë dhe koalicioni juaj me Partinë Demokratike?

Kujtim Gjuzi: Aleanca për Shqipërinë Madhështore është një konfigurim i vlerave nga qendra drejt konservatorizimit. Ju besoj e keni informacionin që sot në gjysmën e planetit flitet për konservatorizmin. Që do të thotë. Partia Demokratike pas reformimit, jo vetëm nga ana fizike, si trup politike por edhe nga ana juridike, ftesa e tyre ka qenë që pas një takimi me shumë parti të tjera.
Ne si parti Konservatore të ndodhur përpara logjisë së qendrës së djathtë dhe konservatorët menduam të rikthehemi në familjen e madhe jo vetëm të demokratëve port ë gjysmës së shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë. Në këto kushte programi jonë është të rikthen vlerat e familjes, traditën, pronën, gjuhës shqipe të pastër dhe këto përbëjnë për ne atë që quhet kombësi Albane. Prandaj edhe subjekti mban emrin, Partia Kombëtare Konservatore Aalbania, e cila kujdeset për 160. 825 mijë km katërorë troje shqiptare. Pavarësisht se formatimi i shteteve mbi bazën e lobingjeve antishqiptarë e ka lënë shqipërinë me dy shtete, shtetet shkojnë e vijnë, ju e dini që është shkatërruar Jugosllavia disa herë. Pra shtetet shkojnë e vijnë por kombësia nuk ndërrohet. Në këtë concept ju pyetet për një plan të Partisë Konservatore, ne jemi aty për të dhënë mesazhin se trualli Alban të ruhet dhe nuk duhet që të ketë politika shpopullimi, prandaj ne jemi kundër kryeministrit në detyrë, sic është certifikuar 11 Maj për largimi i tij.

Impakt: Çfarë ndryshimi do të sjellë Partia Konservatore në të ardhmen e Shqipërisë?

Kujtim Gjuzi: Siç e thashë edhe më lart ne jemi për këtë qëndim radikal pasi kanë kaluar 80 vite që nga formimi i partisë kriminale Komuniste që na ka vrarë gjyshërit e deri më sot janë llanet e krimit në çdo vend. Pra kemi një qytetari në Shqipëri, një pjesë, e cila ka krijuar një mendësi të grabitjes dhe kjo mendësi ka zënë vend. Kjo mendësi kërkon po aq vite që kanë filluar të hyjë, që i bie pas vrasjes së grupit të intelektualëve më 1945. Pra ne duhet të pranojmë të punojmë të mbrojmë këto vlera. Këtu kujtoj mesazhin që Ambasadorin Jozef Librecht i ka dhënë këtij personazhi politik.

Impakt: Kush janë pritshmëritë tuaja nga zgjedhjet e 11 Majit 2025?

Kujtim Gjuzi: Ne po punojmë edhe me njërëz pranë institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht ato që janë rreshtuar gjithmonë në histori në krah të etnitetit Alban. Ne jemi në europën konteporane, aq sa moderne aq edhe plakë.

Impakt: Kush është kandidati juaj kryesor për Qarkun Tiranë?

Kujtim Gjuzi: Në Tiranë në fakt kemi disa emra. Por, Meqë janë më të hershëm se ne, muslimanët këtu në trojet albane na duhet që të përmend emrin e Gerti Gondës, me origjinë nga Korça ish-drejtor në Ministrinë e Kulturës në qeverisjen Berisha nr. 1 dhe Dr. Olsi Jazexhi, si fugurë konservatore.

Impakt: Cili është mendimi juaj për marrëdhënien e Shqipërisë me Turqinë dhe Vatikanin?

Kujtim Gjuzi: Në momente të caktuara të historisë nëse nuk do të ishte Vatikani nuk do të ishte Shqipëria dhe nëse nuk do të ishte Turqia moderne e Mustafa Qemal Ataturkut sërisht nuk do të kishte një shqipëri, ndoshta do të ishim shuar tërësisht. Por, tani po e them këtë, falë rracës tonë, e theksoj, racës tonë rezistente që ndonjëherë na konsiderojnë piratët e detërave ne jemi këtu dhe po bisedojmë se bashku.

Impakt: Cili është mendimi juaj për prezencën muxhahedine në Shqipëri?

Kujtim Gjuzi: Në Shqipëri përpara se të vinin muxhahedinët e Iranit ka pasur edhe të tjerë. Ato janë qenie njerëzore në konceptin filozofik, aristokratik, Kristian Konservatore ose Konservatore Kristiane. Ata ishin njerës të cilët kërkonin dhe kërkojnë edhe sot të rrëzojnë regjimin e Republikës Islamike të Iranit. Ky regjim atje është vendosur me revolucion ku është rrezuar dinastia e Shah Pahlavit. Kanë kaluar rreth 50 vite dhe ata janë rikthyer në atë që quhet, sheriati, besimi fetar islam. Ka objeksione ndaj tyre. Por, Nëse kalojnë 20 vite është ajo që quhet në botën moderne europiane, prezumohen tashmë të falur. Pra, mund të kenë bërë shumë gjëra, unë nuk i hedh poshtë. Ne thamë që Shqipëria kishte 11 pakica linguistike, dhe tani erdhi një pakicë linguistike nga Irani. Edhe një deputet që ka qenë me mbiemër Jehnisheri, thotë që ne jemi nga qyteti Sherhi në Iran. Përgjigja ime do të ishte që ne jemi popull human, kemi Nënë Terezën me çmimi nobel. Nëse ajo do të ishte dhe do të kishte një shtëpi të madhe do të pranonte këta njerëz.

Kritikët argumentojnë se mbajtja e MEK përbën një rrezik sigurie kombëtare për Shqipërinë. Si e vlerësoni praninë e tyre për sa i përket ndikimit të saj në sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike në vend?

Kujtim Gjuzi: Ka një lloj rrisku në këtë marrëdhënie. 50 me 50 përqind e quajmë ne Konservatorët, por duke qenë aleatë në NATO ka pak rrezik. Ju e shikoni që Ukraina që nuk ishte anëtare në NATO, kërkoi të futej në NATO dhe këtu i filloi rreziku i madh. Nën drejtimin e Partisë në Demokratike në Shqipëri ka ardhur perandori i 3 i botës, Presidenti i SHBA Xhorxh Bush. Që do të thotë rreziku në Shqipëri është 50/50. Në këtë rast ata janë me marrëveshje ndërkombëtare që duhet të jetojnë në kampin e tyre. A mund të ketë incidente të vogla? PO! Sic ishte rasti i Durrësit dhe ju e patë që u izolua menjëhrë.

Ka pasur raportime se MEK njësoj si më parë angazhohet në propagandë anti-Iran dhe aktivitete potencialisht të paligjshme nga brenda Shqipërisë. Si i vlerësoni këto aktivitete dhe cilat janë implikimet për reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë?

Kujtim Gjuzi: Kjo pyetje është shumë interesante por do një përgjegjësi ti japësh një përgjigje diplomatike. Si deputet unë e kam ndjekur nga afër situatën e MEK, dhe ne kemi bërë një takim në hotel “Rogner” i ndërtuar nga austriakët. Që do të thotë se unë vij në shtëpinë tuaj unë aty do të flas aq sa më lejon i zoti i shtëpisë. Këto janë kampingje të vjetra, garnizione që i duhet agjendës ndërkombëtare në raste të caktuara. Propaganda e tyre i bën dëm Shqipërisë, është e vërtetë, por që konceptin gjeopolitik ata nuk duhet ta bëjnë këtë. Pra edhe këtë unë e konsideroj 50/50 të rrezikut.

Pritja e MEK-ut ka tensionuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Iranin. Si e shihni ndikimin afatgjatë të këtij tensioni në lidhjet diplomatike dhe interesat ekonomike të Shqipërisë?

Kujtim Gjuzi: Ne amerikanët i kemi aleatët tanë të vetëm më të mëdhenj sepse Presidenti Woodrow Wilson, Presidenti Richard Nikson e ka detyruar Titon të njohë Krahinën Autonome të Kosovës pas kësaj ka mbërritur në Tiranë, perandoria anglo-sanksione me Xhorxh Buxhin. Në këtë koncept askush nuk mund të bëjë dot gjë në kuptimin diplomatik Shqipëërisë. Prandaj muxhahedinët janë vendosur në Manzë të Durrësit që të mbahen nën kontroll.

E mbështesni Sali Berishën për Shkrirjen e SPAK sipas idesë së tij për të marrë oponion nga Komisioni i Venecias. Nëse Partia juaj do të ketë deputet në Kuvend, si do të votojë ai?

Kujtim Gjuzi: E para, SPAK është një strukturë e Prokurorisë e ngritur me mbështetjen Amerikane, Ok. Është financuar nga agjenda Soros që ka abuzuar me fondet Amerikane. Këtu janë problem i disa individëve shqiptarë që mund të kenë abuzuar me fondet, OJQ këtu në Tiranë. Tani ky SPAK-u për mua, unë e kam thëmë 50 plus 1 ka bërë një punë, Kryetari i Bashkisë Tiranë është arrestuar me GJKKO dhe BKH. Për fatin tim edhe të mirë edhe të keq unë jam nga ata që kam qenë atje si qytetar i thirrur jo në mënyrë zyrtare por në mënyrë telefonike, dhe telefonin e kam marrë si kërcënim sepse mënyra ashtu ishte. U thirrja për një rast që kisha denoncuar në media. Unë jam një polikan me karakter dhe konseguent në qëndrimet e mia. Unë e mbështes SPAK. Por të gjithë ata punonjësit e sigurimit që kanë hyrë nga dera e pasme e SPAK, ata duhet të largohen vetë, në rast të kundër atëherë unë mund të bashkoj votën në parlament nëse Berisha ka të drejtë. Pra, Ai që ka qenë në krye të SPAK në kohë që është arrestuar Sali Berisha ai duhet të ketë përgjegjësi maksimale sepse ka shkelur Kushtetutë e Republikës së Shqipërisë. Në rastin tim, ai duhet të më thërrasë jo me telefon, por me dokument zyrtar, ta di pse jam thirrur. Pra, 50 plus 1 jam për SPAK./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne