Në një vit, 7260 gjetje të shkeljeve nga administrata, kryesisht pronat e tenderët

Nuk është vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka evidentuar shkelje të punonjësve të administratës publike. Scan ka zbardhur rezultatet e kontrolleve të vetë njësive audituese të institucioneve publike gjatë vitit të shkuar. Në 1008 angazhime auditimi të kryera nga 435 auditues që numëron ambasada publike, u identifikuan 7260 gjetje të shkeljeve të procedurave, devijimeve dhe dobësive në sistemet e administrimit të pronës publike, prokurimit publik, pagesave, shpërblimeve, menaxhimit të aseteve, sistemi i tatim taksave, si dhe sisteme të tjera sipas fushës së përgjegjësisë së njësive publike.

Gjetjet e audituesve të institucioneve publike janë pasqyruar të përmbledhura në Raportin mbi Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme për vitin 2022. Një pjesë e gjetjeve të auditimit janë konstatuar të kenë shkaktuar efekt financiar negativ në masën 406.3 milionë lekë, ose 4 milionë eurove. Struktura e dëmit ekonomik të shkaktuar identifikon peshën specifike më të madhe në sistemin e tatim-taksave dhe doganave rreth 41.2%, rreth 25.5% të specifikuara tek të tjera sipas fushave të përgjegjësisë së njësisë publike dhe 9.1% në sistemin e pagave, shpërblime, trajtime, komisione.

Raporti evidenton se ka një tendencë në rritje të rasteve të identifikuara për dyshim të parregullsive dhe keqmanaxhimit /keqadministrimit financiar nga strukturat e auditimit të brendshëm. Gjatë vitit 2022, në total janë raportuar në 11 njësi shpenzuese për raste të dyshuara të parregullsive dhe shkeljeve te rënda (5 raste më shumë se një vit më parë), të cilat në gjykimin profesional të audituesve janë dërguar për investigim të mëtejshëm tek Titullari përkatës për ndjekje nga Drejtoria e Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe në institucione të tjera./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne