Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u kërkoi ministrave të tij që të mos komentojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Në vendimin e përkohshëm në çështjen e gjenocidit të paraqitur nga Afrika e Jugut në Hagë, GJND-ja urdhëroi Izraelin të merrte “të gjitha masat e nevojshme” për të parandaluar aktet e gjenocidit në Gaza, por nuk urdhëroi një armëpushim.
Duke iu përgjigjur vendimit, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir tha: “Vendimi i gjykatës antisemite në Hagë konfirmon atë që dihej tashmë: Kjo gjykatë nuk kërkon drejtësi, por përkundrazi persekutimin e popullit hebre”, njoftoi transmetuesi publiku i Izraelit KAN. “Ne nuk duhet t’i vëmë veshin vendimeve që kërcënojnë ekzistencën e shtetit të Izraelit”, tha ai, duke shtuar: “Ne duhet të vazhdojmë ta mposhtim armikun derisa të arrihet fitorja e plotë”.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit. Të paktën 26.083 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 64.487 janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Ofensiva izraelite, sipas OKB-së, ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./AA