Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet sot me aleatin e tij kryesor, Presidentin e SHBA-së Donald Trump, në një takim që pritet të fokusohet në të ardhmen e armëpushimit në Rripin e Gazës, ndërsa negociatat për nisjen e fazës së dytë të marrëveshjes duken të bllokuara. Takimi, i pesti mes dy liderëve që nga rikthimi i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të zhvillohet në resortin Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, ku presidenti amerikan po kalon pushimet. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump do ta presë Netanyahun në orën 13:00 me orën lokale (20:00 ET).
Uashingtoni dhe ndërmjetësit rajonalë po shtojnë presionin për të përshpejtuar procesin. I dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i presidentit Trump, u takuan më herët këtë muaj në Miami me përfaqësues të Katarit, Egjiptit dhe Turqisë.
Sipas faqes amerikane Axios, administrata Trump synon të shpallë së shpejti formimin e një qeverie palestineze teknokratësh për Gazën, e mbikëqyrur nga një komitet ndërkombëtar i kryesuar nga vetë presidenti amerikan. Po ashtu, Trump pritet të propozojë krijimin e një “komisioni të ri paqeje”, i cili mund të mblidhet në Davos në janar. “Koha e këtij takimi është jashtëzakonisht e rëndësishme,” tha Gershon Baskin, aktivist izraelit i paqes dhe ndërmjetësues joformal për lirimin e pengjeve. “Faza e dytë duhet të fillojë. Hamasi ka pasur kohë të mjaftueshme për të rindërtuar praninë e tij dhe amerikanët nuk duan që kjo situatë të zvarritet.”
Ndërkohë, Netanyahu pritet të vërë theksin te Irani, duke ngritur shqetësimin për rindërtimin e programit bërthamor dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake iraniane. Në qershor, Izraeli dhe Irani u përfshinë në një përplasje 12-ditore, gjatë së cilës SHBA-të goditën tre objekte kryesore bërthamore iraniane, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me raketa dhe dronë. Analisti Yossi Mekelberg nga Chatham House vëren “shenja në rritje të pakënaqësisë së administratës amerikane ndaj Netanyahut”. Sipas tij, me zgjedhjet parlamentare izraelite që afrohen në vjeshtën e vitit 2026, takimi me Trumpin i shërben kryeministrit izraelit edhe për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme. “Qëndrimi në pushtet është gjithçka për të,” thekson Mekelberg.
















