Netanyahu viziton Shtëpinë e Bardhë më 29 dhjetor, zëdhënësi izraelit: Takimi me Trump për fazën e dytë të planit amerikan në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump më 29 dhjetor, njoftoi të hënën një zëdhënës i qeverisë izraelite. Të dielën, Netanyahu kishte deklaruar se takimi me Trump do të përqendrohet në fazën e ardhshme të zbatimit të marrëveshjes së paqes për Gazën, duke theksuar se faza e dytë e planit amerikan është “afër”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Netanyahu tha se diskutimet do të fokusohen në “mundësitë për paqe” dhe mënyrat për të përfunduar sundimin e Hamasit në territorin e Gazës.

Negociatat për hapat e ardhshëm të planit të Trump, që synon t’i japë fund luftës dyvjeçare në Gaza, po vazhdojnë. Plani parashikon, ndër të tjera, lirimin e pengjeve izraelite dhe krijimin e një qeverie të përkohshme teknokratike palestineze në Gaza, nën mbikëqyrjen e një “këshilli ndërkombëtar paqeje” dhe me mbështetjen e një force ndërkombëtare sigurie.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

“Në fund të muajit do të kem bisedime shumë të rëndësishme për mënyrën se si do të sigurohet zbatimi i fazës së dytë,” shtoi Netanyahu, duke përmendur se faza e parë e planit është pranë përfundimit.

Ndërkohë, dhuna në Gaza është zvogëluar, por jo plotësisht e ndalur, që prej fillimit të armëpushimit më 10 tetor. Që nga fillimi i marrëveshjes, Hamas ka dorëzuar 20 pengje të gjallë dhe 27 trupa, në këmbim të lirimit të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë. Trupi i një pengu tjetër vazhdon të mbetet në Gaza./panorama

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne