Nipi i Xhafer Devës i dërgon peticion Izraelit, ndërsa Tel Avivi vijon masakrat në Gaza edhe pas armëpushimit

Valdet Xhafer Deva, nipi i një prej figurave më të errëta të kolaboracionizmit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka publikuar një peticion drejtuar institucioneve izraelite, përfshirë Yad Vashem, duke kërkuar rishikimin e rolit të shtetit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.

Në një tekst të gjatë, Deva përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësitë historike të bashkëpunëtorëve të nazizmit, duke kërkuar që nderimi të shkojë për institucionet shtetërore të kohës, mes të cilave bënte pjesë edhe regjimi ku kontribuoi gjyshi i tij, Xhafer Deva — i njohur për bashkëpunimin me pushtuesit nazistë dhe për krimet ndaj shqiptarëve.

Ironikisht, kjo “përkujdesje për drejtësinë historike” vjen në një moment kur shteti i Izraelit vazhdon bombardimet dhe vrasjet e civilëve palestinezë në Gaza, pavarësisht deklarimeve për armëpushim. Ndërsa flet për Holokaustin dhe moralin historik, Izraeli po shkruan një kapitull të ri dhune dhe shkatërrimi përpara syve të botës.

Kritikët e shohin peticionin e Devës si një përpjekje për të larë figura të komprometuara historikisht dhe për t’u afruar politikisht me një shtet që sot akuzohet gjerësisht për krime lufte dhe shkelje masive të të drejtave të njeriut.

“Është hipokrizi e pastër të flasësh për drejtësi historike, ndërkohë që mbyll sytë për fëmijët e vrarë në Gaza,” shprehen aktivistë dhe studiues.

Trashëgimia e Xhafer Devës mbetet e lidhur ngushtë me bashkëpunimin me nazistët, dhe çdo përpjekje për ta relativizuar apo zbukuruar atë periudhë shihet si fyerje për viktimat e vërteta të fashizmit dhe nazizmit.

Ndërkohë, vuajtjet e popullit palestinez vazhdojnë, duke e bërë edhe më të rëndë kontrastin mes fjalëve për kujtesë historike dhe realitetit të dhunës së përditshme në Gaza.
Peticioni i plotë:

➡️ Ju lutem shperndajeni kete Peticion dhe beni tag Israel in Kosovo Jewish Community – Bet Israel Kosova
Drejtuar: Institucioneve shtetërore dhe memoriale të Izrael, përfshirë Yad Vashem

Lënda: Kërkesë për njohjen dhe nderimin e shpëtuesve të vërtetë të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Shtetit të Izraelit,

Në emër të së vërtetës historike, drejtësisë morale dhe kujtesës së drejtë të Holokaustit, ju drejtohemi me këtë kërkesë zyrtare për të rishikuar dhe zgjeruar procesin e njohjes së shpëtuesve të hebrenjve në Shqipëri gjatë viteve 1943–1944.

Shqipëria përbën një rast unik në Evropën e pushtuar: asnjë hebre nuk u dorëzua autoriteteve naziste dhe mijëra hebrenj vendas e të ardhur u mbrojtën dhe u shpëtuan. Ky rezultat nuk ishte vetëm fryt i solidaritetit shoqëror, por në mënyrë vendimtare pasojë e politikave shtetërore të qeverive shqiptare, veçanërisht në periudhën e shtetit të pavarur shqiptar (1943–1944).

Dokumentacioni arkivor shqiptar dhe gjerman dëshmon se:

Shqipëria refuzoi zbatimin e doktrinës naziste të “Zgjidhjes Përfundimtare”;

qeveria shqiptare e trajtoi çështjen e hebrenjve si çështje të brendshme shtetërore;

autoritetet shqiptare ndërhynë zyrtarisht për lirimin, mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve;

çdo përpjekje e forcave gjermane për ndërhyrje u kundërshtua institucionalisht.

Për rrjedhojë, kërkojmë që:

Të njihet në mënyrë të plotë dhe të dokumentuar roli i institucioneve shtetërore shqiptare në shpëtimin e hebrenjve;

Të nderohen përgjegjësit politikë dhe administrativë shqiptarë që kontribuuan drejtpërdrejt në mbrojtjen e hebrenjve, në përputhje me kriteret historike dhe dokumentare;

Të rishikohet narrativa ekzistuese, në mënyrë që nderimi i drejtë të mos kufizohet vetëm në raste individuale, por të pasqyrojë realitetin institucional të shpëtimit;

Të hapet një dialog i strukturuar akademik dhe institucional midis studiuesve shqiptarë dhe institucioneve izraelite të kujtesës historike.

Kjo kërkesë nuk synon rishkrimin ideologjik të historisë, por plotësimin e saj mbi bazën e dokumenteve, fakteve dhe përgjegjësisë morale. Nderimi i shpëtuesve të vërtetë është një akt drejtësie historike, që forcon kujtesën e Holokaustit dhe vlerat universale të njerëzimit.

Me respekt të thellë,

Valdet Xhafer Deva/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne