Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, e cilësoi si një organizim qytetar marshim protestën që po zhvillohet në Shkodër, 3 ditë pas ngjarjes së rëndë, ku 3 persona humbën jetën, si pasojë e një atentati mafioz.
Bardhi tha se çdo qytetar duhet të shprehë mosdakordësinë e tij ndaj pushtetit që ka marrë krimi i organizuar. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se kjo në Shkodër është më evidente për shkak edhe të lidhjeve mes krimit dhe politikës.
“Ngjarja që ndodhi pak ditë më parë krijon terror. Sot jemi në një tubim paqësor për të kundërshtuar pushtetin që krimi i organizuar të marrë, jo vetëm në Shkodër, por kudo në Shqipëri. Secili prej nesh duhet të protestojë”, tha Bardhi.
“Qytetnimi asht ma i fortë se krimi, po na vrasin duhet reagim”, është ky mesazhi i banderolës kryesore në marshim-protestën që ka nisur në Shkodër, 3 ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në këtë qytet, ku 3 persona humbën jetën si pasojë e një atentati mafioz.
Qytetarët që i janë bashkuar protestës kanë qëndruar në heshtje për disa minuta, ndërsa protesta është konsideruar si solidare nga përfaqësues të PD-së.
Bardh Spahia, ish-kryebashkiak i Shkodrës, duke folur për gazetarin Osman Stafa të News24 tha se ngjarja ka shkaktuar një traumë për të gjithë qytetin, një shok për të gjithë opinionin publik.
“Është e trishtueshme që opinioni publik shkodran jo vetëm gjendet nën thundrën e krimit të organizuar, por gjenden edhe pa mbështetjen e strukturave të shtetit, që na dalin të lidhura me krimin. Masakra të tilla nuk mund të ndodhin pa përfshirjen e strukturave shtetërore. Ka pasur një ngjarje të nderë, që ka ndikuar në situatën e qytetarëve”, tha Spahia./BW