Ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat, ka deklaruar se sistemi doganor turk është plotësisht i mbyllur për tregtinë me Izraelin. “Vendi ynë do të vazhdojë të plotësojë nevojat e popullit të shtypur të palestinezëve dhe të mbështesë ekonomikisht misionin e drejtë të Palestinës”, shkroi ministri turk në platformën sociale X.
Ai kujtoi se qeveria turke më 2 maj të këtij viti pezulloi plotësisht transaksionet e eksportit dhe importit me Izraelin duke i përfshirë të gjitha produktet, derisa Izraeli të shpallë një armëpushim të përhershëm dhe të lejojë rrjedhjen e mjaftueshme dhe të papenguar të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. Bolat theksoi se pas kësaj date nuk ka asnjë deklaratë doganore të regjistruar për eksport dhe import nga Türkiye në Izrael. Ai po ashtu tha se nuk ka pasur dërgesa nga Izraeli në Türkiye dhe se sistemi doganor i tregtisë me Izraelin është mbyllur plotësisht.
Në kuadër të marrëveshjes reciproke të arritur me kërkesë nga Ministria e Ekonomisë së Palestinës, me synimin për të furnizuar me produkte të nevojshme Palestinën, e cila ka rreth gjashtë milionë banorë dhe mbulon Bregun Perëndimor, Kudsin Lindor dhe Gazën, mund të eksportohen vetëm nëse produkti përfundon në Palestinë dhe blerësi është një importues palestinez.
“Ministria palestineze e Ekonomisë vazhdimisht ka deklaruar se këto mallra përdoren ekskluzivisht nga Palestina dhe nga të dhënat tona tregtare kuptohet qartë se mallrat e tilla i referohen tregtisë sonë me Palestinën”, tha Bolat. Ai njoftoi se Palestina për çdo vit realizon rreth 25 për qind të importeve indirekte ose direkte nga Turqia.
Ai po ashtu bëri të ditur se në vitin 2024 eksportet në Palestinë regjistrohen me kodin e tyre në sistemin statistikor dhe transaksionet palestineze, që më parë ishin të regjistruara në Izrael, gjithashtu regjistrohen nën kodin e vetë Palestinës në sistemin statistikor. Ministri turk shpjegoi se importuesit palestinezë duhet të kontaktojnë Ministrinë e Ekonomisë së Palestinës për çdo dërgesë nën mekanizmin tregtar dypalësh Türkiye-Palestinë./AA