Norvegjia: Vendimi i Izraelit për të penguar ndihmat e UNRWA-së është i papranueshëm

Norvegjia tha se vendimi i Izraelit për të penguar që ndihmat ushqimore të dërguara nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) të mbërrijnë në veri të Gazës është i papranueshëm. Ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide nga platforma e medias sociale e ministrisë bëri një deklaratë në lidhje me vendimin e Izraelit. “Vendimi i Izraelit për të mos lejuar që autokolonat ushqimore të UNRWA-së të mbërrijnë në veri të Gazës është i papranueshëm. Përjetimi i urisë në Gaza është çështje kohe”, tha ai.

Eide potencoi se ndihma humanitare është “kritike dhe urgjente” dhe shtoi se Izraeli duhet të sigurojë qasje më të madhe të ndihmës ushqimore jetike për Gazën. Izraeli akuzoi disa punonjës të UNRWA-së për përfshirje në sulmin e kryer nga Hamasi më 7 tetor dhe pas këtyre pretendimeve shumë vende pezulluan mbështetjen e tyre financiare për UNRWA-në. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi hetim urgjent mbi pretendimet e zyrtarëve izraelitë se personeli i UNRWA-së ishte i përfshirë në sulmet e 7 tetorit. Gjithashtu edhe UNRWA nisi hetime ndaj pretendimeve të Izraelit.

Bashkimi Evropian (BE), Gjermania, Zvicra, Italia, Kanadaja, Finlanda, Islanda, Australia, Britania e Madhe, Holanda, SHBA-ja, Franca, Austria, Rumania, Japonia dhe Estonia pezulluan përkohësisht mbështetjen financiare për UNRWA-në pas pretendimeve të Izraelit, ndërsa Norvegjia, Danimarka, Belgjika, Luksemburgu, Irlanda, Brazili dhe Spanja njoftuan se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre.

Pasi Izraeli nuk arriti të dëshmonte akuzat e tij kundër UNRWA-së, Australia, Kanadaja, Suedia dhe BE-ja ndryshuan vendimet e tyre dhe njoftuan se do të vazhdonin të financojnë agjencinë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress