“Nuk vdiq nga ataku kardiak”, gazetari akuzon policinë: Po fsheh vrasjen e pushuesit nga JetSki në Ksamil

Gazetari i njohur Flamur Vezaj ka bërë një denoncim të fortë në rrjetet sociale, duke akuzuar Policinë e Shtetit për fshehjen e një vrasjeje të ndodhur në Ksamil.

Në një postim të gjatë, Vezaj ngriti shqetësime serioze lidhur me ngjarjen e sotme, ku një pushues nga Tirana, 38-vjeçari F.K., humbi jetën në Gjirin e Barxhos. Ndërsa policia raportoi se viktima vdiq si pasojë e një ataku kardiak gjatë notit, gazetari pretendon se e vërteta është shumë më ndryshe.

Vezaj shkruan se F.K. u godit për vdekje nga një “JetSki” i drejtuar nga shtetasi I. Doda, i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Falë dëshmitarëve okularë, policia u vu nën presion dhe arrestoi Dodën, por nuk pranoi të korrigjojë njoftimin fillestar ku përmendej ataku kardiak.

Në postimin e tij, Vezaj kritikon praktikat e policisë për shpërndarjen e informacionit të rremë dhe fshehjen e të vërtetës, duke bërë paralelizma me raste të mëparshme ku figura të larta brenda strukturave të policisë kanë bërë të njëjtën gjë.

“Kush duhet të mbajë përgjegjësi për mashtrimin, fshehjen e të vërtetës dhe ngjarjen që ndodhi? Përsëri do të harrohet pas tre ditësh, pasi gjykata e reformës së re me ndërmjetësimin e ‘miqve’ në pushtet të autorit do t’i lehtësojë akuzën duke ia faturuar fajin viktimës, si gjithmonë!” shkroi Vezaj në postimin e tij, duke ngjallur reagime të shumta nga ndjekësit dhe opinioni publik.

Sakaq, policia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për të adresuar këto akuza./Tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne