Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sot për një rezolutë që do t’u jepte palestinezëve “më shumë të drejta dhe privilegje” dhe në të cilën bëhet thirrje që Këshilli i Sigurimit të rishqyrtojë në mënyrë të favorshme kërkesën e Autoritetit Palestinez për të qenë anëtari i 194 i Kombeve të Bashkuara. Në 18 prill, Shtetet e Bashkuara i vunë veton një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit, të mbështetur gjerësisht, që do t’i kishte hapur udhë anëtarësimit me të drejta të plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara, një synim të kahershëm të palestinezëve që Izraeli është përpjekur ta pengojë.
Zëvendës ambasadori amerikan në OKB Robert Ëood e bëri të qartë të enjten se administrata e zotit Biden është kundër rezolutës së Asamblesë. “Kemi qenë shumë të qartë që në fillim se rruga për të bërë të mundur anëtarësimin e plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara është përmes negociatave me Izraelin. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë”, tha ai.