Opozita serbe i kërkon BE-së të mos njohë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” u ka kërkuar institucioneve evropiane të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, krahinore e veçanërisht atyre lokale në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë gjatë votimeve.

Në një letër dërguar institucioneve kryesore evropiane thuhet që nëse Bashkimi Evropian nuk e shfrytëzon mundësinë për të mbështetur qytetarët e Serbisë që kërkojnë demokracinë dhe vlerat themelore evropiane, atëherë do t’i jap një goditje të rëndë çdo perspektive për një Serbi demokratike si anëtare e ardhme e bllokut.

Në letër thuhet se koalicioni “Serbia kundër dhunës” nuk i pranon dhe nuk do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve të 17 dhjetorit ndërsa kërkohet hapja e një hetimi të plotë ndërkombëtar, posaçërisht të parregullsive të gjetura në zgjedhjet për pushtetin në Beograd.

Për tre ditë me radhë mbështetësit e opozitës serbe protestuan në Beograd duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

 

Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne