Osmani: Është në interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit Brdo-Brioni, i cili po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Në fjalën e saj në seancën e përbashkët, thuhet në njoftimin e kabinetit, Osmani theksoi se derisa kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës po shqyrtohet nga Asambleja Parlamentare e organizatës, është e rëndësishme që Kosova të përparojë me statusin e kandidatit për pranim në BE, në përputhje me angazhimin e BE-së për perspektivën e anëtarësimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se Kosova është e vendosur të vazhdojë me dinamikën e reformave që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit dhe ngritin standardin e jetës së të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Presidentja Osmani theksoi se që nga takimi i fundit i këtij procesi Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm suksesi në disa aspekte.

“Kosova është një partner i besueshëm, një fqinj i mirë dhe një partner që punon shumë. Prandaj, mundësia për lëvizje më të madhe të qytetarëve tanë në zonën Shengen është një mundësi e shkëlqyer për t’ua vërtetuar të gjithëve në BE”, theksoi Osmani.

Në këtë kontekst, ajo përmendi edhe progresin në indekset ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut, fushën e teknologjisë informative e të tjera.

Në pjesën e fjalës së saj, e cila ishte temë e takimit të sivjetshëm të liderëve, presidentja Osmani foli edhe për efektet e ndryshimeve klimatike, duke theksuar se Kosova e ka përcaktuar të ardhmen e saj të gjelbër. Presidentja tha se tranzicioni i gjelbër është një mundësi e mirë për të krijuar vende pune, për të rritur produktivitetin dhe për të siguruar energji.

Në të njëjtën kohë, sa i përket perspektivës së të rinjve në Kosovë, presidentja Osmani tha se më shumë se gjysma e popullsisë së Kosovës është nën moshën 30 vjeçare, kështu që “ndërtimi i një mjedisi ku mundësitë për zhvillim social dhe ekonomik janë lehtësisht të disponueshme” është prioritet për Kosovën./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne