“Në burgjet izraelite, të burgosurit trajtohen si kafshë, ose edhe më keq”, u shpreh Heysem Jaber, i cili kaloi 23 vite në burgjet izraelite
Ramallah
KAYS EBU SEMRA
Heysem Jaber, i cili kaloi 23 vjet në burgjet izraelite tha se të burgosurit palestinezë në burgje trajtohen si kafshë.
Jaber, një nga 110 palestinezët e liruar dje si pjesë e raundit të tretë të shkëmbimit të pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, foli për gazetarin e Agjencisë Anadolu (AA).
Duke tërhequr vëmendjen për presionin dhe dhunën në rritje në burgjet izraelite pas 7 tetorit, Jaber tha se kanë kaluar ditë shumë të vështira mes “torturave dhe vdekjes”.
“Në burgjet izraelite, të burgosurit trajtohen si kafshë, ose edhe më keq”, u shpreh Jaber.
– “Asnjë qenie njerëzore nuk mund të durojë këto poshtërime dhe tortura”
Jaber, nga qyteti Selfit në Bregun Perëndimor nën pushtim tha se e rifitoi lirinë pas 23 vjetësh, por shoku i tij nuk ishte aq me fat.
Pasi informoi se shoku i tij i qelisë Sair Abu Asab ka rënë dëshmor, Jaber tha: “Asnjë qenie njerëzore nuk mund të durojë këto poshtërime dhe tortura. Sot ne jemi nën emocione të përziera gëzimi dhe trishtimi. Ne falënderojmë popullin tonë”.
– “Është si të kthehesh në jetë nga vdekja”
Ai ndjenjat e para pas 23 vitesh burgosje i përshkroi me fjalët: “Është si të kthehesh nga vdekja në jetë. Isha sikur ndodhesha në një varr. Sot është dita kur unë kam rilindur”.
– Ka shkruar shumë vepra gjatë viteve në burg
Gjatë viteve të qëndrimit në burgjet izraelite, Jaber shkroi dy romane, “Shehide” (Vajza martire)” dhe “1578” si dhe një tregim dhe një përmbledhje me poezi të quajtur “Dasma e bardhë”.
Sipas një deklarate nga Zyra e Medias për të Burgosurit Palestinezë, 110 të burgosur palestinezë, përfshirë 30 fëmijë, 32 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 48 me burgim të rëndë, u liruan dje si pjesë e raundit të tretë të shkëmbimit të të burgosurve.
Nga 110 të burgosur palestinezë të liruar, 66 u dërguan në Ramallah, 15 në Kudsin Lindor dhe 29 në Gaza.
– Marrëveshja për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve Hamas-Izrael
Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve e arritur midis Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi të dielën, më 19 janar.
Në kuadër të marrëveshjes, të hënën më 27 janar, Korridori Netzarim u hap për palestinezët në Rripin e Gazës për të kaluar nga jugu në veri.
Në tre raundet e para të shkëmbimit të pengjeve, u liruan 400 të burgosur palestinezë në burgjet izraelite si dhe 10 të pengje izraelitë dhe 5 tajlandezë në Gaza.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit e cila do të përbëhet nga tre faza, pritet që në fazën e parë prej 42 ditësh të lirohen më shumë se 1.900 të burgosur palestinezë dhe 33 pengje izraelite. / AA