Partia e ministrit izraelit ndërpret mbështetjen për Netanyahun rreth propozimit për armëpushim në Gaza

Partia e ekstremit të djathtë, e kryesuar nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, njoftoi se nuk do të mbështesë koalicionin qeverisës në parlamentin izraelit (Knesset), derisa kryeministri Benjamin Netanyahu të zbulojë detajet e propozimit të presidentit amerikan Joe Biden për armëpushim në Gaza. “Për sa kohë që kryeministri vazhdon të fshehë detajet e marrëveshjes, Otzma Yehudit do të prishë koalicionin e tij”, shkroi Ben-Gvir në llogarinë e tij X.

Të premten, Biden tha se Izraeli prezantoi një marrëveshje prej tre fazash që do t’i jepte fund armiqësive në Gaza dhe do të siguronte lirimin e pengjeve të mbajtura në enklavën bregdetare. Plani përfshin një armëpushim, një shkëmbim pengjesh, të burgosurish dhe rindërtim të Gazës.

Megjithatë, Netanyahu të hënën tha se ai “nuk ishte i gatshëm të ndalonte luftën në Gaza”, duke pretenduar se komentet e presidentit amerikan për propozimin e armëpushimit ishin “të pasakta”. Partnerët e tij të koalicionit, Ben-Gvir dhe ministri i Financave Bezalel Smotrich, kanë kërcënuar se do të rrëzojnë qeverinë nëse Netanyahu bie dakord me planin e armëpushimit të Bidenit.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm. Të paktën 36.500 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, si dhe rreth 83 mijë të tjerë janë plagosur.

Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne