Deputetja e shpallur e pavarur jep sinjalin e parë publik në mbështetje të protestuesve, një ditë pas ndarjes nga Partia Socialiste.
Vetëm një ditë pasi njoftoi largimin nga Partia Socialiste dhe kalimin si deputete e pavarur, Marjana Koçeku ka dhënë sinjalin e parë publik që po rreshtohet në krah të protestuesve.
Deputetja e Shkodrës, e njohur si “Neomalsorja”, ka publikuar në rrjetet sociale një flamingo, simbolin që është identifikuar prej ditësh me protestat kundër qeverisë. Edhe pse pa asnjë koment shoqërues, postimi duket si një mesazh politik dhe një shprehje mbështetjeje ndaj lëvizjes protestuese.

Publikimi i simbolit të protestës shihet nga shumë vëzhgues si një hap më tej nga distancimi i saj me mazhorancën. Nëse dorëheqja nga PS u konsiderua si një goditje politike për kryeministrin Edi Rama, postimi i sotëm duket se forcon perceptimin se deputetja po pozicionohet pranë kauzës së protestuesve.
Deri tani, Koçeku nuk ka bërë asnjë deklaratë të drejtpërdrejtë në mbështetje të protestave dhe as nuk ka sqaruar domethënien e postimit të saj. Megjithatë, zgjedhja e flamingos, simbolit që ka shoqëruar marshimet dhe mobilizimet e ditëve të fundit, vështirë se mund të konsiderohet rastësi në klimën aktuale politike.

















