Pas pandemisë 14% e fëmijëve të moshës 1 vjeç të pavaksinuar për fruthin! Mjekët apelojnë: Nuk është shkak për autizmin

Shkalla e mbulimit të vaksinimit të fëmijëve kundër fruthit dhe rubeolës ka shënuar rënie të lartë pas pandemisë së Covid-19.

Nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) deri në fund të muajit janar janë konfirmuar 11 raste të fëmijëve të moshës nga 1 deri 3 vjeç të prekur nga sëmundja. Për mjekët pediatër dhe specialistët e ISHP shtimi i infektimeve vjen nga mosvaksinimi, pasi shumë prindër refuzojnë t’i vaksinojnë fëmijët për shkak të autizmit.

Deri në vitin 2019 sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik (të dhëna në VKM “Për miratimin e profilit të zgjeruar kombëtar të migracionit për vitet 2019–2022) shkalla e mbulimit me vaksinën e Fruth-Rubeola Parotit doza e parë, arrinte 95%. Përqindja mbetëse e fëmijëve të pavaksinur ishte 5%.

Në 2020 shkalla e mbulimit me vaksinën arriti në 91% ndërsa e fëmijëve të pavaksinuar shkoi 9%. Përqindja e fëmijëve u thellua pas vitit pandemik të Covid-19. Shkalla e mbulimit nga 91% që ishte në 2020 në 2021 arriti në 86.6%.

Rënia e vaksinimeve vijoi edhe përgjatë 2022 duke shënuar shkallë mbulimi 85.7% dhe 14.3% e tyre të pavaksinuar. Në raport me vitin para pandemisë përqindja e fëmijëve të pavaksinuar gati është dyfishuar.

Sipas të dhënave rezulton se shkalla e vaksinimit për dozën e dytë të vaksinës është më e lartë. Duke arritur nivelin 92 deri 93 në 2 vitet e fundit. Në 2022 arriti në 92.8% nga 91.7% që ishte një vit më parë.

Doza e parë e vaksinës kryhet te fëmijët e moshën 1 vjeç dhe sipas mjekes pediatre të Qendrës Shëndetësore nr.2 në Tiranë Sonila Brati shtyrja në kohë apo moskryerja e vaksinimit të fëmijët nga prindërit është ndikuar nga frika e autizmit.

“Ka një lloj refuzimi nga ana e prindërve të cilën e lidhin mos vaksinimin me autizmin, sepse mendojnë që mund të ketë lidhje me të. Pavarësisht se të gjitha studimet e kryera kanë rezultuar se nuk ka asnjë lidhje të vaksinës me autizmin”, pohon mjekja pediatre Brati.

Fruthi është një sëmundje me transmetueshmëri të lartë dhe sidomos për fëmijët që nuk janë të vaksinuar. Në situatën në cilët ndodh vendi me shtim të infektimeve mjekja pediatre Brati veçon se ka një shtim të numrit të vaksinuarve. Mjekja Brati bën apel për vaksinim, me garancinë që nuk është shkak të autizëm.

“Gjatë këtyre ditëve po përballemi me një situatë pak më ndryshe në lidhje me vaksinimin e moshës 1 vjeç. Ka rritje të vaksinimeve dhe kjo lidhet me rastet aktuale të shfaqjes së fundit në vend. Apeli shkon për prindërit për të vaksinuar fëmijët për shkak të komplikimeve që ka fruthi”, thekson ajo.

Pas pandemisë 14% e fëmijëve të moshës 1 vjeç

Vaksinimi i përgjithshëm kundër sëmundjeve që parandalohen me anë të tij është vendimtar për të ulur vdekshmërinë foshnjore dhe të fëmijëve. Imunizimi i fëmijëve me vaksinat bazë është një nga ndërhyrjet shëndetësore me efikasitetin më të lartë.

Shqipëria ka një program kombëtar vaksinimi të konsoliduar që nis që me lindjen e foshnjave deri në moshën e adoleshencës. Në vendin tonë, mbulimi për çdo vaksinë të kalendarit kombëtar aktualisht është mbi 94%./

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne