Shefi i NATO-s: Aleatët evropianë të NATO-s do të investojnë 380 miliardë dollarë në mbrojtje në vitin 2024

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleatët evropianë të NATO-s do të investojnë një total prej 380 miliardë dollarësh në mbrojtje në vitin 2024. Stoltenberg tha se këtë vit pret që 18 aleatë të shpenzojnë 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.

“Ky është një numër tjetër rekord dhe një rritje gjashtëfish nga viti 2014, kur vetëm tre aleatë e arritën objektivin. Në vitin 2024, aleatët e NATO-s në Evropë do të investojnë një total prej 380 miliardë dollarësh amerikanë në mbrojtje. Për herë të parë, kjo arrin në 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto”, tha Stoltenberg në një konferencë për media para takimit të ministrave të mbrojtjes.

Shefi i NATO-s shtoi se ministrat gjithashtu do të diskutojnë rritjen e prodhimit dhe kujtoi se Gjermania filloi ndërtimin e një fabrike të re municioni që do të prodhojë 200 mijë predha artilerie në vit. “Ne kurrë nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë”, tha ai, duke shtuar se “nuk ka asnjë kërcënim të afërt ushtarak kundër ndonjë aleati të NATO-s”.

“NATO do të vazhdojë të sigurojë që në Moskë të mos ketë vend për llogaritje të gabuara në lidhje me gatishmërinë dhe vendosmërinë tonë për të mbrojtur të gjithë aleatët”, theksoi ai. Stoltenberg po ashtu komentoi luftën në Ukrainë dhe mbështetjen e vendeve perëndimore, duke përshëndetur vendimin e fundit të Bashkimit Evropian (BE) për një “paketë të re të madhe ndihme”.

Shefi i NATO-s po ashtu përshëndeti fitoren e Forcave të Armatosura të Ukrainës në rajonin e Detit të Zi për largimin e flotës ruse dhe për aftësinë për të eksportuar drithëra pa një marrëveshje me Moskën./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne