Gjermania: Në Gaza urgjentisht duhet të arrijë më shumë ndihmë humanitare

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock deklaroi se në Gaza duhet të arrijnë shumë më tepër ndihma humanitare në mënyrë që njerëzit të mos vdesin nga uria dhe etja. Në deklaratën e saj me shkrim përpara vizitës dy-ditore në Izrael, Baerbock tha se situata në Gaza po përkeqësohet. “Gaza është në prag të kolapsit. 1.3 milion njerëz në Rafah jetojnë në kushtet më të tmerrshme në një zonë shumë të ngushtë”.

Duke theksuar se shumë prej tyre u larguan nga zonat e luftës në veri të Gazës, Baerbock shtoi se shumica e këtyre njerëzve, të cilët morën vetëm fëmijët e tyre me vete, nuk kishin asgjë tjetër përveç rrobave që kishin veshur. “Në këto kushte, sulmi i ushtrisë izraelite në Rafah mund të shkatërrojë plotësisht situatën humanitare, sepse ata në Rafah nuk mund të zhduken”, tha Baerbock. Ajo nënvizoi se këta njerëz kanë nevojë për zona dhe korridore të sigurta për të mos u kapur në mes të përleshjeve si dhe për më shumë ndihmë humanitare dhe pauzë humanitare të konfliktit.

Baerbock potencoi se bisedimet në Izrael do të përqendrohen në uljen e vuajtjeve njerëzore dhe lirimin e të burgosurve. “Shumë më tepër ndihma humanitare duhet të arrijnë urgjentisht në Gaza në mënyrë që njerëzit të mos vdesin nga uria dhe etja”, tha ajo. Shefja e diplomacisë gjermane tha se për këtë çështje nevojiten “garanci mbrojtëse” nga agjencitë e OKB-së dhe se ata gjatë bisedimeve do të diskutojnë se si mund të rritet presioni ndërkombëtar që Hamasi të dorëzojë armët.

Sipas saj, fatet e izraelitëve dhe palestinezëve janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin. “Siguria e njërit do të thotë siguria e tjetrit. Kjo është e mundur vetëm me një zgjidhje me dy shtete. Ne duhet të rivendosim shpresën për të jetuar në paqe dhe siguria në dy shtete krah për krah”, tha Baerbock. Gjithashtu është planifikuar që Baerbock të takohet me presidentin izraelit Isaac Herzog, kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe homologun e saj Yisrael Katz./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne