Pasardhësit e minoritetit boshnjak në Durrës ndjekin gjurmët e të parëve

Komuniteti boshnjak dhe ai armen mbërritën njëri pas tjetrit në Durrës më shumë se një shekull më parë dhe u integruan me jetën e vendasve, por pasardhësit e tyre vazhdojnë ta mbajnë gjallë traditën.

Abdulla Kapidani është një ndër specialistët më të mirë të bujqësisë në rang vendi, por ai zgjedh të mos flasë për bimët. I lindur në Shijak nga një familje me origjinë boshnjake, Kapidani po dokumenton gjurmët e të parëve të tij që u vendosën në këtë zonë në fund të shekullit XIX.

“Bashkë me Sani Guzinën kemi mbledhur dokumente dhe tregime të të moshuarve për të hartuar rrugën që ndoqën të parët tanë kur mbërritën në Durrës me anije,” tha profesor Kapidani.

Boshnjakët mbërritën nga Mostari në Durrës në mesin e viteve 1870, si pasojë e Krizës së Madhe të Lindjes dhe kryengritjes së Herzegovinës, dhe u vendosën në kodrat e Shijakut. Boshnjakët njihen si minoritet zyrtar në Shqipëri prej vitit 2017.

Kapidani thotë se boshnjakët e Mostarit dhe të zonave përreth u nisën drejt Perandorisë Osmane, por ata mbetën në Durrës pasi anija pësoi avari. Një ushtarak boshnjak me shërbim në portin e Durrësit thuhet se i këshilloi bashkëatdhetarët e tij që të ndërtonin një jetë të re në këtë zonë.

Të sapoardhurit u vendosën në kodrat e Shijakut, aq të ngjashme me relievin kodrinor që kishin lënë pas në Bosnje, dhe pranë lumit të Erzenit, që asokohe ishte i ngjashëm me lumin e tyre, Neretva. Vendasit i quajtën ata “muhaxhirë”, por u miqësuan shpejt me ta.

Kapidani tregon se komuniteti boshnjak i bleu tokat në Shijak, por ende nuk e njihte gjuhën shqipe.

“Vazhdonim të flisnim gjuhën e nënës në shtëpi, gjuhën nashke,” shtoi ai.

Rreth 80 për qind e komunitetit boshnjak në Shqipëri jeton në fshatrat Borakë dhe Koxhasi të Shijakut. Një tabelë e madhe tre gjuhëshe në Borakë të mikpret edhe me gjuhën e tyre2Dobro Dosli!

Boshnjakët ishin sipas Kapidanit punëtorë, të ndershëm dhe të pasionuar me këngën dhe me vallen. Ata hapën restorantin e parë në Shijak si dhe ngritën mullirin e parë të blojës, ndërsa kultivarët e tyre të domates morën emrin “Koxhasi”.

Ata e vazhdojnë traditën e tyre në dy restorante në afërsi të rrugës Tiranë- Durrës në Sukth, me emrat “Sarajevo” dhe “Zëmbak”. Prej vitit 1995, komuniteti boshnjak ka krijuar gjithashtu shoqatën me emrin “Zambak”- një lule tipike e zonës së tyre të origjinës.

Kapidani i tha BIRN se komuniteti boshnjak u pranua shpejt nga vendasit dhe nga bashkëjetesa mes tyre lindën edhe martesat e para. Megjithatë, prindërit e Kapedanit patën një histori të ndryshme.

“Babai im, Aliu u kthye për disa kohë në Poçitjel, pranë Mostarit, dhe e kërkoi fatin e tij në një familje të njohur të Bosnjes. U kthye me nënën tonë përkrahu dhe më pas na rritën me vështirësitë e asaj kohe,” thotë ai.

Me mbylljen e kufijve gjatë regjimit komunist, familjet boshnjake u ndanë për së gjalli me të afërmit e tyre në Bosnje.

“E mallkoj diktaturën kur kujtoj se nëna ime e mirë nuk mundi të takojë gjallë asnjë nga vëllezërit e motrat, që ndodheshin matanë kufirit,” thotë me dhimbje profesori.

Shkallët e Armenit

“Shkallët e armenit” në Durrës. Foto: Gëzim Kabashi.

Familjet boshnjake ishin vetëm një nga komunitetet e huaja që u vendosën në Durrës gjatë sundimit të perandorisë osmane. Shumë pranë bashkisë së Durrësit gjenden gjithashtu një palë shkallë të ndërtuara rreth 100 vjet më parë, të quajtura “Shkallët e Armenit”.

“Spjegimi është i thjeshtë: Ngjitur me shkallët filluan biznesin e tyre gjyshi dhe xhaxhai im dhe durrsakët për lehtësi i emërtuan kështu: Shkallët e Armenit apo Ermenit,” tregon , pasardhës i një familjeje armene të vendosur asokohe në Durrës.

Burrat nga Armenia e largët erdhën në qytetin bregdetar për të kryer shërbimin ushtarak në fillim të shekullit të kaluar. Pak vite më vonë, perandoria otomane që i kishte sjellë si ushtarë, nisi një genocid ndaj armenëve.

“Bodikianët u kthyen deri në Bullgari për të gjetur të afërmit e tyre, por më kot,” riprodhon Agopi tregimet e gjyshërve.

Përveç Durrësit, armenët u vendosën edhe në Tiranë, Elbasan, Korçë, Shkodër dhe Berat.

“Të parët tanë Bodikian, Ballxhian e Zacharian u ndjenë mirë në Durrës,” – vijon bisedën Agopi, i cili trashëgon emrin e gjyshit, njëlloj siç administron edhe disa prona të tij, mes të cilave edhe një nga ish-kinematë e viteve 1930 në qytet.

“Gjyshërit e filluan biznesin duke shitur me tezga në hyrje të portit, e më pas meqë ishin të shkolluar, hapën dyqanet e para të tregtisë në bulevardin kryesor,” shtoi ai.

Armenët u integruan në shoqërinë shqiptare dhe nuk e patën të vështirë që të ngrinin bizneset e tyre, nga manifatura deri në ndërtim. Megjithatë, armenët e Shqipërisë janë më së shumti të njohur në fushën e artit.

Suksesi në vitet 1980 i Anisa Markarian, vajzës me origjinë armene që realizoi disa nga rolet më të bukur në kinemanë shqiptare ishte paraprirë nga një tjetër pasardhës i armenëve: Haig Zacharian.

Kompozitor i rreth 30 kolonave zanore në po aq filma shqiptarë, Haig Zacharian është autor i dhjetra këngëve dhe i mbi 50 veprave të gjinive vokale, instrumentale e simfonike, vepra skenike e muzikë dhome.

Duke biseduar me të njëjtin reporter vite më parë, Haigu tha se prindët e tij, Lusi dhe Agopi, kanë ndikuar në mënyrën e jetesës dhe të marrjes së përgjegjësive, në qëndrimet përballë artit, fesë dhe shtetit, si dhë dëshirën për të jetuar mes njerëzve dhe i lidhur me ta.

“Lexonin shumë edhe falë gjuhëve që njihnin, dhe unë vazhdoj t’i kujtoj kështu,” thotë mjeshtri i muzikës, i cili bashkë me të shoqen Anën, e kanë quajtur djalin Kyd – ose “i dituri”.

Edhe Agop Bodikian e ka mbajtur gjallë prejardhjen përmes emrave të trashëguar të djemve të tij.

“Jam i gëzuar që ndjehen krenarë për prejardhjen e tyre,” përfundoi ai. /Reporter

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne