Pensionistët kanë protestuar sot sërish para Kryeministrisë duke kërkuar rritje të pensioneve të tyre. Kjo protestë e sotme ka zgjatur një orë e 30 minuta me pensionistetët që thonë se paratë që marrin nuk i mjaftojnë. Në një prononcim për mediat, një pensionist tha se bonusi i lancuar nga qeveria është një mashtrim i madh. “Mua më ka dalë pensioni 171 mije lekë të vjetra. Janë të pamjaftueshme për çmimet që kanë shkuar në stratosferë. Por kryeministri e ka llogaritur për shportë, si ato shportat e derrave. Ne nuk jemi derra. Na thotë po s’u derdhën kontributet, nuk merrni lekë. Vetë e ka rrogën 3 milionë lekë. Vetë i pari vjedh kontributin me ligj. Bonusi është një mashtrim i madh, turp e djallëzi e këtij kryeministri. Bonusi përbëhet nga ai 36 milionë nga buxheti i vitit të kaluar dhe pjesë tjetër nga indeksimi. Gënjen delet e partisë, jo të tjerët”, tha pensionisti.
Prej disa javësh pensionistët shqiptarë dhe akivistët e Lëvizjes Bashkë protestojnë duke ngritur zërin për të drejtat e tyre për pensione dinjitoze dhe minimumin jetik për të përballuar jetesën dhe problemet e tyre shëndetësore. Në shtator të këtij viti Këshilli i Ministrave miratoi indeksimin e pensioneve në Shqipëri me vetëm 4.1%, akt që u pasua me reagime të shumta si nga qytetarët ashtu edhe nga aktivistët dhe shoqëria civile./Lapsi