Xhafer Sadiku: Zgjedhjet në SHBA kontrollohen nga elita

Në një kohë kur bota përballet me kriza të shumta – nga luftërat e përgjakshme në Lindjen e Mesme, deri te rreziku i një përplasjeje globale mes fuqive të mëdha – zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shihen me një rëndësi jetike për të ardhmen e njerëzimit. Në një intervistë për gazetën Impakt, publicisti dhe analisti Xhafer Sadiku jep një këndvështrim të drejtpërdrejtë dhe pa dorashka mbi këtë proces që, sipas tij, nuk është as demokratik e as përfaqësues i vullnetit të popullit amerikan, por një sistem i kontrolluar nga elitat globale.

Sadiku analizon mundësitë reale të dy kandidatëve kryesorë për president, rreziqet që lidhen me fitoren e secilit, ndikimin që ato mund të kenë në paqen botërore, por edhe pasojat për vende të vogla si Shqipëria. Ai është i prerë në qëndrimin e tij: vetëm një fitore e republikanit Donald Trump do të mund të shmangte Luftën e Tretë Botërore dhe të frenonte shtrirjen e globalizmit agresiv. Për Shqipërinë, Sadiku shpreh zhgënjimin e thellë për faktin që ajo, sipas tij, është kthyer në një koloni pa sovranitet, ku “drejtësia” është në duart e të huajve dhe politika shërben vetëm si vegël e interesave të huaja.

Intervista e plote:

Cili është mendimi juaj për zgjedhjet presidenciale amerikane? A mendoni se është një mënyrë e mirë për të zgjedhur një president?
Zgjedhjet për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të ndikimit që ky vend ka në fatet e njerëzimit, tërheqin vëmendjen e mbarë botës – përfshirë edhe shqiptarët. Nuk mund të them se është mënyra më e mirë për të zgjedhur një president të superfuqisë më të madhe në botë, por është forma që elita amerikane e ka zgjedhur. Në fakt, kjo metodë është më shumë një mjet për të kontrolluar procesin dhe vetë presidentin, sesa për të garantuar një përfaqësim real të popullit amerikan. Që nga vrasja e Presidentit Kennedy, ky kontroll është bërë i dukshëm dhe i padiskutueshëm.

Kush mendoni se do t’i fitojë zgjedhjet dhe pse?
Situata globale është e paqartë dhe e rrezikshme. Në këto rrethana, është e vështirë të parashikohet fituesi i zgjedhjeve në SHBA. Ajo që mund të them me siguri është se globalizmi, i promovuar si rrugë drejt paqes, lirisë dhe demokracisë, ka dështuar. Kemi parë luftëra të pafundme, shkatërrim, vuajtje dhe padrejtësi. Në vend që të sjellin paqe, Fuqitë e Mëdha janë kthyer në aktorë edhe më grabitqarë, duke shtypur popujt më të varfër. Mjafton të përmendim vrasjet masive të fëmijëve në Gaza dhe heshtjen e Perëndimit për ta kuptuar që jemi përballë një bote pa drejtësi, pa shpirt dhe pa ndërgjegje.

A mendoni se presidenti i ardhshëm amerikan mund të fillojë Luftën e Tretë Botërore, në raport me situatën aktuale ndërkombëtare?
Kjo është një rrezik real. Globalizmi, deri tani, nuk ka pasur kundërshtar serioz në përpjekjet për të kontrolluar botën. Por tani, me rritjen e Kinës dhe fuqizimin e shteteve euroaziatike, ky kontroll është vënë në pikëpyetje. Kandidati demokrat përfaqëson pikërisht forcat globaliste që e kanë çuar botën në këtë kaos dhe është shumë e mundur që, nëse fiton, të çojë drejt një konflikti të përgjithshëm – një Luftë të Tretë Botërore.

Nga ana tjetër, kandidati republikan përfaqëson forcat konservatore dhe nacionaliste të Amerikës. Gjatë mandatit të tij të parë nuk nisi asnjë luftë dhe përkundrazi, mbylli disa konflikte të nisura nga pararendësit e tij. Nëse ai fiton, shanset për shmangien e luftës rriten ndjeshëm.

A mund të konsiderohen zgjedhjet amerikane si përfaqësim i vërtetë i demokracisë në atë vend?
Jo. Demokracia është kthyer në një term boshe. Aty ku sundon kapitali dhe oligarkia financiare, është iluzion të flasësh për demokraci. Vota tjetërsohet, blihet dhe shitet. Vullneti i qytetarit nuk përfaqësohet, por përdoret si fasadë. Në këto kushte, demokracia është vetëm një mjet për të legjitimuar një sistem ku pushtetin real e kanë korporatat dhe strukturat e padukshme të kontrollit politik dhe ekonomik.

Si mendoni se do të ndikojnë zgjedhjet amerikane në demokracinë dhe kriminalitetin në Shqipëri?
Zgjedhjet në SHBA nuk kanë ndikim real në Shqipëri. Shqipëria sot është kthyer në një koloni të huaj, ku nuk respektohet dinjiteti i qytetarit dhe as sovraniteti i shtetit. Faji kryesor për këtë nuk është i amerikanëve, por i vetë shqiptarëve, që për interesa personale kanë lejuar këtë degradim.

Amerikanët kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me ish-komunistët dhe servilët politikë, sepse janë më të manipulueshëm dhe nuk kanë as ideale, as vetëdije kombëtare. Nëpërmjet kësaj elite të degjeneruar, ata kanë ngritur në Shqipëri një diktaturë të mafies politike dhe financiare, ku drejtësia është selektive dhe e komanduar.

Cili kandidat mendoni se është më i duhuri për të fituar dhe pse?
Për sigurinë globale, kandidati republikan Donald Trump është më i duhuri. Ai është kundër përfshirjes në luftëra të panevojshme dhe ka treguar një qasje më të matur në politikën ndërkombëtare. Në një kohë kur bota është më afër rrezikut bërthamor se kurrë më parë, Trump përfaqëson mundësinë më reale për ta shmangur këtë katastrofë.

A do të ndikojnë zgjedhjet në Amerikë për të mirën e Shqipërisë?
Vetëm nëse ndikon për shmangien e një lufte botërore, zgjedhjet në SHBA do të kenë efekt pozitiv për Shqipërinë. Por për çështjet rajonale dhe brenda vendit, SHBA ndjek interesat e veta, jo fatin e shqiptarëve. Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk është prioritet për ta.

I vetmi “fitues” konstant i zgjedhjeve amerikane është Izraeli, sepse të dy kandidatët kanë në program mbështetjen e tij pa kushte. Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në tërësi duhet të mbështeten te vetja, jo të presin shpëtim nga zgjedhjet e të tjerëve./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne