PËRVJETORI I DYTË I 7 TETORIT/ Dezinformimi si armë: Si e përdori Izraeli propagandën gjatë Tufanit të Aksas

Nga Behar Kaceli

Gjatë operacionit “Tufani i Aksas”, Izraeli ushtroi një fushatë të fuqishme propagandistike në favor të vetes, përmes degëve të tij të shumta mediatike dhe shërbimeve të inteligjencës, në krye të të cilave qëndron njësia 8200, e specializuar në luftërat kibernetike.

Që në orët e para të betejës, Tel Avivi u përpoq të përhapte një sërë lajmesh të rreme dhe mashtruese ( ose lajme të tjera pa prova reale) në përpjekje për të lidhur fraksionet e rezistencës palestineze me terrorizmin dhe për të fituar simpati ndërkombëtare.

Fillimi ishte me zëdhënësin e ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, i cili më 9 tetor, në ditën e tretë të operacionit, publikoi një video duke pretenduar se tregonte bombardime izraelite në Gaza. Mirëpo, pas verifikimit të videos, rezultoi se ajo i përkiste bombardimeve të ushtrisë siriane mbi qytetin Ariha në krahinën e Idlibit, në veri të Sirisë, të filmuara nga aktivisti sirian Ahmad Rahal më 7 tetor 2023.

Propaganda izraelite u përpoq gjithashtu të përhapte pretendime se luftëtarët e Brigadave al-Kassam kishin përdhunuar gra izraelite pas hyrjes në vendbanimet hebraike, pa paraqitur asnjë provë që të mbështeste këto pretendime, të cilat u hodhën poshtë shpejt.

Por pretendimi më i madh, që u përhap gjerësisht pasi u përsërit dhe u përhap nga shumë media perëndimore, ishte ai për “prerjen e kokave të fëmijëve” nga rezistenca.

Një grup mediash perëndimore, në krye me CNN (e cila më vonë u tërhoq nga ky lajm) raportuan se Hamasi kishte prerë kokat e dhjetëra foshnjave në Kfar Gaza, duke iu referuar një gazetareje të kanalit izraelit I24 News, e cila ia atribuoi lajmin një “burimi nga ushtria izraelite”.

Zëdhënësi i kryeministrit Netanjahu i përsëriti këto akuza, dhe ato u besuan madje nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili i përsëriti gjatë një interviste.

Megjithatë, agjencia turke Anadolu kontaktoi me zyrën e zëdhënësit të ushtrisë izraelite për të pyetur rreth këtyre pretendimeve apo thashethemeve, dhe përgjigjja ishte: “Jemi në dijeni të këtyre lajmeve, por nuk kemi asnjë detaj apo konfirmim lidhur me to.” Duhet theksuar se ushtria, së bashku me shërbimin izraelit të ambulancës, është ajo që merret drejtpërdrejt me trupat e të vrarëve, i numëron dhe shpall identitetet e tyre.

Narrativa e paraqitur dhe e përhapur nga aparati mediatik përgjegjës për propagandën izraelite filloi të bie, fillimisht kur vetë gazetarja që përhapi këto pretendime u tërhoq nga deklaratat e saj të para, duke korrigjuar se burimi nuk ishte nga ushtria, por nga jashtë saj.

Një numër mediash perëndimore gjithashtu u tërhoqën nga këto pretendime, veçanërisht pasi gazeta amerikane The Washington Post botoi një artikull të gjatë, duke cituar një burim në Shtëpinë e Bardhë që konfirmonte se as presidenti Biden e as ndonjë zyrtar tjetër nuk kishte parë ndonjë foto apo nuk ishte siguruar për vërtetësinë e raporteve për “prerjen e kokave të fëmijëve”.

Artikulli theksonte se deklaratat e Bidenit për mizoritë e supozuara ishin bazuar vetëm në pretendimet e zëdhënësit të Netanjahut dhe në raportime izraelite të pakonfirmuara.

Gazeta hebraike Haaretz gjithashtu hodhi poshtë pretendimet për prerjen e kokave të fëmijëve izraelitë dhe djegien e trupave të tyre, në një hetim që zhvilloi, duke konfirmuar se kjo histori ishte e pavërtetë dhe pa asnjë bazë në realitet./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq