Plagosje me armë te Komuna e Parisit në Tiranë, policia identifikon autorin

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur këtë të hënë në kompleksin Kika 2 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Erion Goxharja ka plagosur me armën e shërbimit shtetasin Loren Kosta.

Kosta mësohet se është dërguar në spital për kurim te Spitali i Traumës dhe gjendja e tij paraqitet stabël. Ai është qëlluar nga një person, që është larguar nga vendngjarja.

Policia e Tiranës ka reaguar për plagosjen e sotme te Komuna e Parisit në Tiranë.

Sipas policisë së kryeqytetit, shtetasi E.G, që është autori i plagosjes te Komuna e Parisit, dyshohet se për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri shtetasin Loren Kosta. E.G mësohet se është efektiv policie. Autori, kur ka ndodhur plagosja, nuk ka qenë në orar pune.

Gjithashtu është zbardhur edhe dinamika e krimit. I plagosuri ka qenë duke ecur, kur autori i ka dalë përpara dhe e ka qëlluar.

Zënka dyshohet se ka qenë për arsye banale. I plagosuri është qëlluar me plumb në këmbë dhe në kofshë. Dyshohet se i plagosuri i ka ngacmuar partneren autorit. Në vendngjarje ka mbërritur edhe drejtori i AMP, Florian Sulejmani. AMP po kryen hetimet për ngjarjen, pasi autori është efektiv policie.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka reaguar në një deklaratë për mediat nga vendngjarja, për plagosjen te Komuna e Parisit.

Vocaj i ka bërë thirrje autorit, efektiv policie, që të vetëdorëzohet. Ai tha se probabiliteti më i madh është që autori të ketë qëlluar me armën e shërbimit. Sipas tij, plagosja ka ndodhur për arsye banale.

Tonin Vocaj: Po punojmë për të lokalizuar dhe kapur autorin. Probabiliteti më i madh është që të jetë qëlluar me armën e shërbimit. Por po zhvillojmë hetime. Autori e ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit, që tregon se nuk ka dashje për ta vrarë, por akt-ekspertiza do tregojë gjithçka.

Nuk kemi informacione se ku jetojnë autori e viktima. Kam komunikuar me efektivin dhe po punojmë për të kapur autorin. I bëjmë thirrje autorit që të dorëzohet./Bw

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne