Policia franceze arreston një të dyshuar për zjarrvënie në Konsullatën e Iranit në Paris

Policia franceze ka arrestuar një të dyshuar të akuzuar për zjarrvënie në Konsullatën e Iranit në Paris.

Një i dyshuar i vuri zjarrin ndërtesës së konsullatës, e cila është gjithashtu pjesa e pasme e ndërtesës së ambasadës iraniane në distriktin e 16-të. Ai është arrestuar të dielën, raportoi Le Parisien.

Incidenti nuk ka pasur viktima, ndërsa flakët kanë arritur te porta dhe në fasadën e ndërtesës.

Prokuroria e Parisit ka nisur hetim dhe po shqyrton motive kriminale.

Kamerat e vëzhgimit kanë ndihmuar autoritetet të identifikojnë Nicolas K.-M., 60 vjeç, i lindur në Teheran. Ai është larguar nga vendi i ngjarjes pasi ka nisur zjarrin me një gomë të djegur.

Policia e ka vendosur të dyshuarin në paraburgim dhe autoritetet po vlerësojnë se ai e kreu sulmin, ndërkohë që po afrohet përvjetori i vdekjes së Mahsa Aminit, 22-vjeçares që vdiq ndërsa ishte në arrest policor në Teheran. Vdekja e saj shkaktoi protesta të gjera dhe të paprecedentë.

Nuk është hera e parë që Ambasada e Iranit në Paris është sulmuar. Në shtator 2018, individë hodhën objekte dhe thyen xhamat e ambasadës, gjë që shkaktoi tensione mes Teheranit dhe Parisit.

Tensionet midis dy vendeve janë përshkallëzuar në mënyrë dramatike që nga protestat e dhunshme të vitit të kaluar në Iran pasi presidenti francez Emmanuel Macron priti një grup aktivistësh iranianë të mërguar në Paris.

Ndërkaq, në janar, Ministria e Jashtme e Iranit urdhëroi mbylljen e qendrës kulturore në Ambasadën e Francës në Teheran për shkak të botimit të karikaturave sakrilegjioze nga revista satirike franceze “Charlie Hebdo”, e cila ndezi më tej tensionet./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne