Politika e Kosovës dhe Shqipërisë përkujton Holokaustin, por ka zgjedhur të heshtë për gjenocidin në Gaza

Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë

Përkujtimi i Ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, gjenocidit nazist ndaj hebrenjve, nga klasa politike e Kosovës dhe Shqipërisë është i drejtë dhe i kuptueshëm, veçanërisht nga Kosova, e cila ka përjetuar vetë gjenocid, spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit.

Por, ndërsa nga njëra anë klasa politike shqiptare e përkujton Holokaustin si gjenocid me gjuhë të qartë, pa ekuivok dhe me theks të fortë moral, nga ana tjetër ajo ka zgjedhur heshtjen përballë gjenocidit dhe shkatërrimit masiv në Gaza, të shkaktuara nga regjimi gjenocidial i Izraelit që prej më reth tre viteve. Jo vetëm kaq, por së fundmi Kryeministri i Shqipërisë Rama e ka thelluar më shumë bashkëpunimin me regjimin sionist pas vizitës në Izrael, ku nuk përmendi fare viktimat e gjenocidit në Palestinë.

Ajo që duhet theksuar këtu është se ky qëndrim thellësisht jomoral i politikës shqiptare nxjerr në pah një hierarki të vuajtjes në diskursin zyrtar të të dyja shteteve. Disa viktima njihen, emërtohen dhe përkujtohen; ndërsa për të tjerat nuk flitet, heshtet. Holokausti përkujtohet dhe dënohet pa rezerva; ndërsa gjenocidi në Palestinë shmanget sikur të mos kishte ndodhur kurrë, ndonëse vazhdon ende sot. Kjo hierarki vuajtjesh ekziston sepse vuajtjet e popullsive kryesisht muslimane, si palestinezët në këtë rast, trajtohen si më pak të rëndësishme, më pak të denoncueshme dhe më pak të denja për përkujtim.

Ajo që shumë nuk arrijnë ta shohin është fakti se kjo përbën një formë të sofistikuar dhe të rrezikshme të Islamofobisë së fshehur në klasën politike shqiptare, e shfaqur përmes standardeve të dyfishta. Një Islamofobi që nuk shprehet përmes sulmeve të drejtpërdrejta ndaj muslimanëve, por përmes relativizimit, anashkalimit ose heshtjes përballë vuajtjeve të tyre, kur këto vuajtje nuk përputhen me interesat apo orientimet gjeopolitike të momentit.

Kosova, e cila me të drejtë kërkon njohje, drejtësi dhe solidaritet ndërkombëtar për vuajtjet e saj historike, sot dështon të tregojë të njëjtin solidaritet ndaj një populli tjetër që po përjeton shkatërrim masiv. Kur shprehja “kurrë më” zbatohet në mënyrë selektive, ajo shndërrohet nga vlerë universale në slogan politik. Sot, “empatia” ndaj vuajtjeve të tjetrit kushtëzohet nga aleancat politike dhe nga vendndodhja gjeografike e viktimave.
/fb

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne