Pr.ligji/ Masa për bizneset që “vjedhin” emrin e subjekteve të tjera, si llogaritet dëmi i shkaktuar

Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik një projektligj të dedikuar vetëm për markat tregtare, duke synuar të përcaktojë rregulla më të qarta për regjistrimin e një marke, refuzimin për regjistrim dhe mbrojtjen e saj, duke e përafruar atë me legjislacionin e BE. Aktualisht tregu në Shqipëri po ndeshet çdo ditë e më shumë me konflikte midis markave të regjistruara më parë dhe që kanë një reputacion dhe emër të mirë në treg dhe përpjekjeve të personave të ndryshëm për të përdorur marka identike ose të ngjashme, me qëllim që të përfitojnë në kurriz të njohjes që markat e mëparshme kanë në publik dhe në treg, për shkak të cilësisë së mirë, reklamimit dhe promovimit të vazhdueshëm që pronarët e tyre bëjnë për to.

Këto përpjekje negative përveçse dëmtojnë interesat ekonomike të pronarëve të markave me reputacion në treg, ato dëmtojnë dhe deformojnë gjithashtu tregun dhe interesat e konsumatorëve. Në këtë aspekt, ky projektligj garanton gjithashtu edhe mbrojtjen e konsumatorëve nga pasojat që mund të vijnë në treg nga shkelja e të drejtave të markave dhe qarkullimi i mallrave cënuese.

Konkretisht, projektligji parashikon të drejtën e pronarëve të markave që cënohen nga veprime shkelëse të ngrenë padi, të paraqesin prova dhe t’i sigurojnë këto, të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme për parandalimin e një shkeljeje, nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe vënien nën kontroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e markave të regjistruara më parë dhe kështu me radhë.

Po në këtë aspekt, projektligji përpunon në mënyrë më të detajuar masat që merren në rast të shkeljeve të të drejtave që rrjedhin nga markat, si ndalimin e mallrave ose shërbimeve që shkelin të drejtat e markës tregtare, heqjen ose bllokimin nga qarkullimi civil të mallrave ose shërbimeve cënuese, deri tek materialet, pajisjet dhe mjeteve e përdorura për krijimin ose prodhimin e këtyre mallrave ose shërbimeve cënuese. Drafti trajton edhe shpërblimin e dëmeve që u vijnë pronarëve të markave të mëparshme nga shkeljet dhe përpjekjet e shkelësve që abuzojnë duke përdorur pa autorizim markat e pronarëve të tjerë.

Në rastet e padive, në përllogaritjen e masës së shpërblimit të dëmit, gjykata: mban parasysh çdo dëm efektiv dhe real, duke përfshirë fitimin e munguar të palës së dëmtuar, çdo përfitim të padrejtë të realizuar nga shkelësi dhe, sipas rastit, dëmin moral që i është shkaktuar palës së dëmtuar nga shkelja, cënimi i emrit dhe reputacionit tregtar, etj.

Sipas rastit, mund të vendosë shpërblimin e menjëhershëm të dëmit nëpërmjet caktimit të një shume monetare për t’u paguar nga shkelësi në favor të palës së dëmtuar bazuar të paktën në elementë të tillë si fitimet, të ardhurat dhe/ose tarifat që do të siguroheshin në rast se shkelësi do të kishte kërkuar autorizimin për përdorimin e të drejtave të markës tregtare në fjalë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne