Presidenti gjerman Steinmeier: Islami është pjesë e Gjermanisë

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha të shtunën se Islami është pjesë e Gjermanisë, mes racizmit dhe islamofobisë në rritje të nxitur nga propaganda e grupeve dhe partive të ekstremit të djathtë që kanë shfrytëzuar krizën e refugjatëve dhe janë përpjekur të ngjallin frikë nga imigrantët.

“Islami, feja muslimane, jeta muslimane, kultura mislimane kanë zënë rrënjë në vendin tonë”, tha Steinmeier në kremtimin e 50-vjetorit të themelimit të Lidhjes së Qendrave Kulturore Islame (VIKZ) në Këln.

“Sot, diversiteti i Islamit, diversiteti i mbi 5 milionë muslimanëve, është gjithashtu pjesë e vendit tonë”, tha ai.

Steinmeier vuri në dukje se liria e fesë nënkupton gjithashtu mbrojtjen e të drejtave të të gjithë besimtarëve.

“Gjermania është një shtet ideologjikisht neutral. Por liria fetare nuk do të thotë që vendi ynë është i lirë nga feja. Jo, do të thotë t’u japësh hapësirë feve dhe të mbrosh lirinë e besimtarëve, të gjithë besimtarëve”, deklaroi ai.

Komentet e tij erdhën pas një raporti të fundit që thotë se racizmi dhe islamofobia janë bërë pjesë e jetës së përditshme në Gjermani.

Gjithsej 898 incidente antimuslimane janë regjistruar në Gjermani në vitin 2022, ndërsa numri i rasteve të paraportuara mbetet i lartë, sipas raportit mbi situatën të publikuar në qershor nga organizata joqeveritare me qendër në Berlin, Aleanca Kundër Islamofobisë dhe Armiqësisë Ndaj Muslimanëve.

Racizmi është pjesë e jetës së përditshme për muslimanët në Gjermani, me shumë raste të regjistruara që përfshijnë gra, sipas studimit.

Ndër rastet e dokumentuara ishin 500 sulme verbale, duke përfshirë deklarata nxitëse, fyerje dhe kërcënime. Janë regjistruar 11 letra kërcënuese drejtuar xhamive “shpesh me kërcënime ekstreme për dhunë dhe vdekje”. Letrat përmbanin simbole naziste ose referenca për epokën naziste.

Raporti vë në dukje 190 raste të diskriminimit dhe 167 të “sjelljeve të dëmshme”. Kategoria e fundit përfshinte 71 raste të lëndimeve trupore, 44 raste të dëmtimit të pronave, tri zjarrvënie dhe 49 akte të tjera dhune.

Përveç kësaj, sulmet me motive raciste ndaj të rinjve dhe fëmijëve janë në rritje, thotë raporti. Ka pasur raste kur gratë janë sulmuar në prani të fëmijëve të tyre dhe gratë shtatzëna janë goditur me shkelma ose në stomak.

Autorët e studimit supozojnë se numri i rasteve të paraportuara është i lartë sepse nuk ka mbulim të gjerë mediatik. Raporti i parë mbi situatën ka përfshirë të dhëna nga dhjetë qendra këshillimi në pesë shtete gjermane, si dhe raporte nëpërmjet portalit “I-Report”, statistika për dhunën e motivuar politikisht dhe raportet e policisë dhe shtypit.

Krimet antimuslimane shpesh nuk njihen si të tilla ose të prekurit nuk i raportojnë ato për shkak të mungesës së besimit te autoritetet, thuhet në raport. Raporti kërkon, ndër të tjera, zgjerimin e strukturave raportuese dhe ndërgjegjësimin për këtë temë nga autoritetet, shkollat dhe sektori i shëndetësisë.

Vend me më shumë se 84 milionë banorë, Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Aty jetojnë më shumë se 5 milionë muslimanë, sipas shifrave zyrtare./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne