Turqia me shumë gjasë do të përjashtohet nga misioni i planifikuar i stabilizimit në Rripin e Gazës, i cili do të përbëhet nga rreth 5000 ushtarë, pasi Izraeli ka bërë të qartë se nuk dëshiron pjesëmarrje turke në këtë operacion.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “kushti është që Izraeli të jetë i kënaqur me përbërjen kombëtare të forcës shumëkombëshe”, e cila do të ketë për detyrë të parandalojë një vakum sigurie pas fillimit të rindërtimit të Gazës. Turqia kishte ofruar të dërgonte trupat e saj, por Izraeli – sipas burimeve diplomatike – ka bërë të ditur se e kundërshton këtë.
Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Tel Avivit janë përkeqësuar vitet e fundit, sidomos për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj Sirisë, dhe qeveria izraelite e sheh presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan si “shumë të afërt me Vëllazërinë Myslimane dhe Hamasin”. Megjithatë, përjashtimi i Turqisë ka shkaktuar polemika, pasi Ankaraja është një nga garantueset e të ashtuquajturit “marrëveshje paqeje e Trumpit” me 20 pika, dhe ka një nga ushtritë më të përgatitura në rajon.
Sipas burimeve, misionin e stabilizimit me shumë gjasë do ta udhëheqë Egjipti. Pritet pjesëmarrja edhe e Indonezisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat po kërkojnë që misioni të ketë mandat nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ndonëse vetë nuk do të jetë nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.
Forca do të bashkëpunojë me njësinë ushtarake amerikane “Civil-Military Coordination Centre” (CMCC), të vendosur në qytetin izraelit Kiryat Gat. Këtë njësi, në të cilën marrin pjesë këshilltarë nga Britania e Madhe, Franca, Jordania dhe Emiratet, e hapi zyrtarisht të martën zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance. CMCC do të ketë përveç rolit ushtarak edhe detyra në shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza, megjithëse pikat kufitare kryesore mbeten ende të mbyllura.
Misioni pritet të marrë përsipër çarmatimin e Hamasit dhe sigurimin e themelimit të një qeverie kalimtare palestineze. Formimi i kësaj qeverie ende është objekt negociatash, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka përjashtuar mundësinë që Autoriteti Palestinez të ketë rol në Gazën pas luftës. Ndërkohë, fraksionet palestineze, përfshirë Hamasin dhe Fatahun, kanë arritur në Kajro një marrëveshje për krijimin e një “komiteti të përkohshëm të ekspertëve të pavarur”, që do të menaxhojë shërbimet bazë dhe jetën në Gaza./telegrafi


















