Organizata ndërkombëtare për mjedisin “Greenpeace” pretendon se Franca vazhdon të transferojë uranium në Rusi, pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) ndaj vendit për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.
Sipas lajmeve të mediave kombëtare bazuar në të dhënat e “Greenpeace”, një duzinë kontejnerësh me uranium nga porti Dunkerque, të nxjerrë nga termocentralet bërthamore të Francës u dërguan në Rusi për ripërpunim. Dërgesa e kësaj fundjave shënoi herën e parë që Parisi, i cili ka zvogëluar varësinë energjetike nga Rusia për shkak të luftës në tre vitet e fundit, ka transferuar uranium të përpunuar në Moskë.
Anija “Mikhail Dudin” me flamur të Panamasë përdoret rregullisht për të transportuar uranium të pasuruar ose natyror nga Franca në Shën Petersburg. Pauline Boyer, e cila drejton fushatën bërthamore të “Greenpeace France”, mbron idenë se kjo tregti midis Francës dhe Rusisë “nuk është e paligjshme, por imorale”.
Ajo tha se Franca duhet të ndërpresë kontratat e saj me “Rosatom, kompaninë shtetërore ruse që pushton centralin bërthamor të Ukrainës”. Kompania franceze e energjisë elektrike “EDF” në vitin 2018 nënshkroi marrëveshje prej 600 milionë eurosh me Tenex, degën e Rosatom për riciklimin e uraniumit të përpunuar. Kjo marrëveshje nuk u prek nga sanksionet ndërkombëtare të vendosura për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Rusia ka objekte të rëndësishme për ripasurimin dhe riciklimin e uraniumit të përpunuar, i cili është prodhim i centraleve bërthamore./BW

















