Programi për modernizimin e ujësjellësve, Banka Botërore rishikon në ulje vlerësimin

Banka Botërore ka rishikuar në ulje vlerësimin e saj në rishikimim e radhës të ecurisë së projektit “Programi Kombëtar i Modernizimit të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve të Shqipërisë”. Në raportin e fundit vlerësimi kaloi nga “I kënaqshëm” në “Jo i kënaqshëm në mënyrë të moderuar” duke treguar se një sërë objektivat të vendosura nuk ishin arritur ende. Pavarësisht kësaj Banka vlerëson se janë hedhur disa hapa që garantojnë ecuri pozitive në vijim.

“Progresi në reformën e sektorit: a. Qeveria me mbështetjen e grupit të punës po përparon në mënyrë të kënaqshme në zhvillimin e udhëzimeve të politikave për të përmbushur objektivat. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve kanë përfunduar tashmë miratimin e Udhëzimit 1 (subvencionet për njerëzit në nevojë), i cili u prezantua publikisht

b. Programi po mbështet shoqëritë e përzgjedhura të ujësjellësit në zhvillimin dhe zbatimin e planeve të përmirësimit të performancës.

c. Është nënshkruar një kontratë për kryerjen e Auditimit të Energjisë në ndërmarrjet e përzgjedhura të ujësjellësit dhe do të fillojë zbatimi brenda korrikut 2024” vlerëson Banka Botërore.

Programi në fjalë financohet përmes dy linjave të kredisë ku e para ka një total prej 75 milionë dollarësh kurse e dyta 3 milionë dollarë pra në total 80 milionë dollarë. Deri në qershor në rishikimin e fundit të Bankës Botërore të disbursuara ishin në total 3.38 milionë dollarë apo pak më shumë se 4 për qind e totalit.

Kreditë janë efektive për disa vite ku e para deri në 31 dhjetor 2027 kur bëhet edhe mbyllja dhe e dyta mbyllet në 31 dhjetor 2025. Programi që mbështet sektorin e ujësjellësve u miratua nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore më 12 maj 2022 dhe hyri në fuqi më 10 maj 2023. Marrëveshja e huasë u ratifikua nga Kuvendi më 23.03.2023 dhe Marrëveshja e Grantit u miratua nga Këshilli i Ministrave më 24.03.2023. Sipas Bankës qeveria po përparon në zhvillimin e udhëzimeve kryesore të politikave siç është rënë dakord në fushën e rezultateve 1 të Programit./Monitori

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne