Projekti 205 mln euro për zgjerimin e Tiranë-Durrës fut në sherr qeverinë

Zgjerimi i rrugës Tiranë Durrës ka shkaktuar një përplasje të fortë brenda qeverisë mes ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave. Thuajse çdo ditë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi po deklarojnë publikisht në media dhe komisionet parlamentare, ku diskutohet buxheti, se zgjerimi i rrugës do të nisë vitin e ardhshëm.

Por në projektbuxhetin e vitit 2024, që ministria e Financave ka dorëzuar në Parlament, për këtë investim nuk është akorduar asnjë qindarkë.

Deklaratat publike të Ballukut dhe Berberit dhe vënia e theksit tek projekti i zgjerimit të rrugës Tiranë Durrës duken pjesë e një fushate të koordinuar për të presuar ministrinë e Financave, por edhe Parlamentin që të ndryshojnë projektbuxhetin për të akorduar fonde për këtë investim. Por deri më tani duket se nuk ka asnjë shenjë që projektbuxheti të ndryshojë.

Zgjerimi i rrugës

Projekti për zgjerimin e rrugës Tiranë Durrës me 4 korsi të tjera shtesë është bërë në vitin 2016. Tenderi i shpallur nga ARRSH për projektimin u fitua nga kompania italiane SPEA.

Sipas projektit dhe preventivit të përditësuar të çmimeve kostoja për zgjerimin e rrugës me trafikun më të madh në Shqipëri vlerësohet në 205 milionë euro.

Vitin e kaluar, ky investim u përfshi në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, një parakusht që një investim i madh publik të buxhetohet. Por sipas VKM, që rregullon procedurat e menaxhimit të investimeve publike, çdo projekt me vlerë më të madhe se 10 miliardë lekë (95 milionë euro) duhet t’i nënshtrohet oponencës së jashtme për studimin e fizibilitetit.

Kjo oponencë duhet të kryhet nga një kompani private, përzgjedhjen e së cilës VKM ja ngarkon ministrisë së Financave. Kjo pikë në vendim iu imponua qeverisë nga Komisoni Europian dhe Banka Botërore për të shmangur batërdinë e ndodhur në Shqipëri me copëzimin e investimeve publike, veçanërisht rrugëve në lote pafund, dhe zgjatjen e tyre me vite të tëra duke rritur koston për taksapaguesit.

Këtu është dhe ngërçi që ka futur në sherr ministrinë e Financave me atë të Infrastrukturës për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës.

Ministria e Financave ende nuk ka bërë oponencën e jashtme të studimit të fizibilitetit të rrugës Tiranë-Durrës dhe në këto kushte investimi nuk mund të buxhetohet. Ndërkohë ministria e Infrastrukturës kërkon me këmbëngulje që zgjerimi i rrugës të fillojë vitin e ardhshëm.

Lufta për anashkalimin e VKM-së

Për të shmangur kufizimin e vendosur nga VKM që rregullon menaxhimin e investimeve publike, ministria e Infrastrukturës po tenton dy rrugë. Së pari, atë të copëzimit të rrugës me lote.

Plani i MIE parashikon tenderimin e dy loteve të para për vitin e ardhshëm nga Sheshi Shqiponja deri në afërsi të Kasharit me vlerë totale 4 miliardë lekë. Rrjedhimisht ministria e Infrastrukturës kërkon të buxhetojë të paktën 800 milionë lekë ose rreth 7.6 milionë euro për vitin e ardhshëm, sipas kushtëzimit të vendosur në ligj që duhet të buxhetohet të paktën 20 për qind e vlerës së investimeve në vitin e parë.

Por VKM sanksionon 20 për qind të vlerës së plotë të projektit, dmth 20 për qind e 205 milionë eurove, që do të thotë se rruga nuk mund të nisë pa u akorduar të paktën 41 milionë euro që në vitin e parë.

Ndërkohë mënyra e dytë se si ministria e Infrastrukturës po tendon të anashkalojë kufizimin ligjor që e bën të pamundur buxhetimin e rrugës është ajo e ndryshimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave duke rrëzuar pikën që kërkon oponencën e jashtme për projektet me vlerë mbi 95 milionë euro.

Belinda Balluku është duke luftuar fortë për të rrëzuar kufizimet siç e tregojnë deklaratat e përditshme të saj për nisjen e rrugës Tiranë-Durrës vitin tjetër. Por deri më tani këto deklarata mbeten thjesht dëshira, pasi në buxhet nuk ka asnjë qindarkë të akorduar për këtë rrugë.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse ministrja më e fuqishme e qeverisë do të arrijë të rrëzojë kështjellën e ligjit, që e bën të pamundur nisjen e rrugës Tiranë-Durrës vitin tjetër apo deklaratat e saj do të mbeten thjesht një përpjekje e dështuar presioni mbi ministrinë e Financave dhe një dëshirë e parealizuar./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne