Projekti i Bashkisë Tiranë për korsi biçikletash bllokon bizneset e Myslym Shyrit

Bashkia Tiranë ka përfshirë së fundmi rrugën Myslym Shyri në projektin e saj për korsi biçikletash, projekt i cili parashikon ngushtimin e rrugës së makinave dhe ndalimin e parkimit.

Kjo ka shqetësuar bizneset dhe banorët e zonës, të cilët e ndjejnë veten të anashkaluar nga vendimmarrja dhe të vënë përballë një rreziku ekonomik. Zona nuk ka hapësira të tjera për parkim.

Shumë biznese që u hapën të hënën në rrugën Myslym Shyri e patën të vështirë të siguronin parkim për punonjësit, furnitorët, apo dhe klientët.

Punonjës të bashkisë kishin vendosur hekura duke bllokuar pjesën dërrmuese të vendparkimeve, të cilat prej më shumë se 2 vitesh janë me pagesë, disa të personalizuara për bizneset.

Ana buzë trotuarit pritet të kthehet në korsi biçikletash. Por shumica e bizneseve dhe banorët e zonës janë kundër këtij projekti.

Pse janë kundër bizneset

Prej fundit të viteve ’90 rruga Myslym Shyri njohu zhvillim të madh ekonomik pasi buzë saj u hapën qindra dyqane të veshjeve, elektroshtëpiakeve, por dhe zyra të ndryshme biznesesh.

Zona u popullarizua edhe më tepër mes viteve 2000-2010 kur në rrugën e Durrësit, Bashkia Tiranë, asokohe e drejtuar nga Edi Rama, vendosi rrethimin e trotuareve me hekura dhe ndalimin e qëndrimit të makinave.

Kjo ua bëri të vështirë bizneseve aksesin me klientët dhe po kështu me shërbimet furnitore.

Për rrjedhojë disa lëvizën nga rruga e Durrësit duke u zhvendosur në Myslym Shyri apo Rrugën e Kavajës, ndërsa disa të tjera falimentuan.

Ndërhyrja e fundit e Bashkisë Tiranë, kësaj here nën drejtimin e Erion Veliajt, konsiderohet njësoj e rrezikshme.

Një biznes, studio fotografie, në Myslym Shyri shprehu pakënaqësinë për këtë vendim të Bashkisë duke e cilësuar atë eksperiment që dëmton bizneset.

“Ekpserimenti u bë para shumë vitesh në rrugën e Durrësit kur bizneset lulëzonin dhe sa u vendosën hekurat u kthyen në biznese fantazmë […] ky eksperiment është shtrirë tashmë në gjithë rrugët e kryeqytetit duke i kthyer bizneset në biznese lagjesh, të tkurrura, të ndara, të pafuqishme, që luftojnë për bukën e gojës. Kush përfiton?”

Sipërmarrësit ankohen se nuk u përfshinë në vendimmarrje dhe se nëse ndalohet parkimi dhe ngushtohet rruga të ardhurat e tyre nga aktiviteti mund të përgjysmohen.

Pse janë kundër banorët

Zona e Myslym Shyrit është kryesisht me pallate të vjetra, të cilat nuk ofrojnë mundësi parkimi, ndërkohë që së fundmi hapësira te ish-“Ekspozita Shqipëria Sot”, e cila shfrytëzohej për parkim me pagesë, iu dha leja për kullë 90 metra të lartë.

Njësoj projekteve për pallate të tjera u është dhënë apo ripërtërirë leja për t’u ndërtuar krahas rrugës ose në rrugicat pas.

Pra Bashkia Tiranë ka planifikuar rritjen e dendësisë së banorëve, por në vend që t’u shërbejë hapësira më të mëdha për shërbim, siç është parkimi, ajo bën të kundërtën duke i kufizuar ato.

Banorët shprehen se kanë pasur probleme edhe më parë me ndarjen e hapësirave të parkimit, sidomos për ato pa pagesë – me vija të bardha – pasi ata nuk janë pyetur dhe bërë pjesë e vendimmarrjes.

Problemi i korsive të biçikletave

Përveç rrugës Myslym Shyri, një problematikë të ngjashme kanë hasur së fundmi bizneset dhe banorët e rrugës Hoxha Tahsin, apo Qemal Stafa. Në këtë të fundit në ish-tregun e biçikletave apo orendive shtëpiake, bashkia ka vendosur edhe rrethim me hekura.

Siç Exit News ka shkruar më parë, Bashkia Tiranë i ndërton korsitë e biçikletave pa standard të përcaktuar, pa respektuar plan-projektet e miratuara më parë dhe madje duke rrezikuar edhe shëndetin e qytetarëve – me lyerjen e asfaltit me bojë.

Bashkia Tiranë nuk ka bërë kurrë transparente projektet apo të dhëna që i justifikojnë ato.

Opozita i ka cilësuar shpesh si abuzive dhe me kosto të pajustifikuara./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne