Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës që opozita ka zhvilluar pasditen e së martës (26 nëntor) në Tiranë, ku janë bllokuar 5 pika kyçe të kryeqytetit.
Associated Press shkruan se ligjvënësit shqiptarë të opozitës dhe mbështetësit e tyre bllokuan të martën rrugët kryesore të kryeqytetit për orë të tëra duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe duke kërkuar që ajo të zëvendësohet nga një kabinet kujdestar teknokratik deri në zgjedhjet parlamentare të 2025.
“Qindra mbështetës të opozitës bllokuan trafikun në kryqëzimet kryesore të Tiranës duke akuzuar Partinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama për korrupsion, manipulim të zgjedhjeve të mëparshme dhe uzurpim të pushteteve të gjyqësorit. Të udhëhequr nga ligjvënësit, mbështetësit e opozitës – disa të ardhur nga qytete të tjera – u përfshinë në përleshje sporadike me policinë kundër trazirave që përpiqeshin të pastronin rrugët. Të tjerët u ulën në rrugë ose u përpoqën të largonin oficerët e policisë.
“Rama ik”, ishte thirrja e përsëritur nga protestuesit në shumë vende.
Noka ndaloi së foluri me gazetarët nga respekti për një lutje të dëgjuar nga xhamia e re myslimane aty pranë.
Popullsia 2.4 milionëshe e Shqipërisë është më shumë se gjysma myslimane. Ata jetojnë në paqe përkrah të krishterëve katolikë dhe ortodoksë dhe komuniteteve të tjera më të vogla fetare.
“Shqipëria mban zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme, të cilat socialistët e Ramës janë gati t’i fitojnë, sipas sondazheve, pjesërisht për shkak se opozita është e ndarë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar opozitës që të rifillojë dialogun me qeverinë, duke thënë se dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në Bashkimin Evropian prej 27 vendesh.
Në tetor, Tirana filloi bisedimet me bllokun për mënyrën se si vendi përputhet me qëndrimet e BE-së për shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit. Shqipëria synon të anëtarësohet në bllok deri në vitin 2030, sipas Ramës”, raporton Associated Press.
BW