Red Varaku
Ka një arsye të lodhur pse Edi Rama po përpiqet me çdo kusht t’i veshë protestës kostumin e një revolucioni islamik apo të një lëvizjeje anti-Trump apo anti-perëndimore.
Kjo sepse në vend që të japë llogari për krizën e rëndë që ka prodhuar, ai synon të frikësojë partnerët ndërkombëtarë dhe një pjesë të opinionit publik me gjasme ‘hordhite anti-perendimore’ që po i vardisen Shqipërisë.
Por propaganda sado e sofistikuar ka një problem të madh, ajo nuk mund ta ndryshojë realitetin.
E vërteta është që kjo është ndoshta protesta më perëndimore që ka njohur Shqipëria që nga rënia e komunizmit.
Për herë të parë nuk kërkohet zëvendësimi i një partie me një tjetër, nuk kërkohet ndërrimi i emrave apo një shpëtimtar i ri.
Kërkohet shembja e establishmentit të korruptuar që e ka mbajtur peng demokracinë shqiptare për më shumë se tre dekada.
Kjo jo vetëm që nuk është filozofi lindore, por kjo eshtë thelbi i demokracive perëndimore. Qytetarët ngrihen kundër elitave që kanë tradhtuar kontratën me popullin.
Nëse dikush proteston kundër kapjes së drejtësisë, kundër korrupsionit, kundër shtetit klientelist dhe kundër kastës politike që sillet si pronare e Shqipërisë, ai nuk po lufton Perëndimin. Ai po kërkon pikërisht atë që Perëndimi ka predikuar gjithmonë, shtet ligjor, institucione të pavarura dhe pushtet që kontrollohet nga qytetarët.
Kaq është kjo!
Në demokracitë e zhvilluara askush nuk konsiderohet armik, islamik, apo anti-amerikan sepse proteston kundër pushtetit. Përkundrazi, protesta është mekanizmi që korrigjon abuzimin e pushtetit.
Vetëm regjimet autoritare e quajnë qytetarin armik.
Gjithashtu, për ata që ende nuk e kanë kuptuar , kjo protestë shënon diçka shumë më të madhe sesa një përplasje me një kryeministër. Ajo shënon fundin politik dhe moral të tranzicionit shqiptar.
Për tridhjetë vjet shqiptarëve u është thënë të durojnë, të presin, të heshtin, sepse medemek i ka këto probleme tranzicioni drejt demokracisë. Në emër të këtij tranzicioni janë justifikuar korrupsioni, pandëshkueshmëria, kapja e institucioneve dhe varfërimi i vendit.
Sot qytetarët me anë të kësaj proteste po thonë se kjo epokë ka marrë fund.
Ata nuk pranojnë më të jenë spektatorë të një demokracie fasadë. Ata nuk pranojnë më të trajtohen si publik në një teatër ku fituesit janë gjithmonë të njëjtët.
Ky është kapërcimi historik që po bën populli shqiptar.
Sepse, një popull që refuzon nënshtrimin është një popull që ka filluar të jetojë si qytetar i lirë dhe jo si subjekt i pushtetit.
Pikërisht në këtë moment fillon fundi i tranzicionit dhe lind një epokë e re.
Ndoshta kjo është arsyeja pse sot beteja më e madhe nuk po zhvillohet mes qeverisë dhe protestës.
Por mes tranzicionit që po jep shpirt dhe Shqipërisë që po kërkon të lindë si një demokraci e vërtetë Perëndimore ./fb


















